Mungesa e progresit, anulohet samiti i Astanas për Ukrainën

13/01/2015 00:00

Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca kanë kthyer mbrapsht planet për një samit të përbashkët gjatë kësaj jave mbi konfliktin në Ukrainë, kjo për shkak të mungesës së progresit në implementimin e marrëveshjes 4-mujorshe të armëpushimit të dakordësuar mes qeveritarëve të Kievit dhe separatistëve prorusë.

Ndërkohë që gjakderdhja vijon në përplasjet mes forcave qeveritare dhe rebelëve në rajonet lindore të Ukrainës, nuk shihet asnjë shenjë e mundshme se kur mund të parashikohet një përpjekje e re për takimin mes palëve të përfshira drejtpërdrejtë dhe fuqive të mëdha.

Udhëheqësit rusë, gjermanë dhe francezë ishin ftuar në bisedime këtë të enjte në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, prej Presidentit ukrainas Petro Poroshenko, për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të vendit, i cili ka shkaktuar mbi 4700 viktima përgjatë 9 muajve të fundit.

Por, ministrat e Jashtëm të katër vendeve respektive njoftuan se bisedimet në Berlin gjatë së hënës dështuan të implementonin tërësisht marrëveshjen e paqes, ndaj dhe nevoja për të dakordësuar mënyrat se si të ofrohet ndihmë ndaj civilëve të bllokuar dhe si të bëhet lirimi i të burgosurve kërkon “më tepër punë në vazhdim”, përpara se të zhvillohet samiti.

“Dallimet në opinionet e gjithsecilit prej të pranishmëve e bënë të qartë se sa e vështirë është të bësh progres drejt një zgjidhjeje politike apo një samiti në Astana, nga e cila pritet shumë pasi po kaq të mëdha janë edhe përgatitjet për këtë takim”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ishte rënë dakord mes të gjithëve se vetëm një armëpushim i përcaktuar qartë do t’i hapte rrugë liderëve të 4 vendeve të takoheshin në Astana.

Separatistët dhe forcat qeveritare fajësojnë njëri-tjetrin për shkelje të vazhdueshme të armëpushimit, që hyri teknikisht në fuqi më 5 shtator, si pjesë e një protokolli paqeje prej 12 pikash të nënshkruar në Minsk të Bjellorusisë.

Top Channel