BE shuan shpresat për azil: Të ardhmen ndërtojeni në Kosovë

13/01/2015 00:00

Zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian në Prishtinë shuajnë shpresat e kosovarëve për azil në vendet anëtare të BE-së.

Të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë sociale, duken të vogla edhe shpresat për masa emergjente për ta ndalur hovin e ikjes. Presidentja Atifete Jahjaga mblodhi të martën Këshillin Kombëtar për integrime europiane për të diskutuar mbi emigrimin ilegal.

“Si institucione të Kosovës e kemi për detyrë të marrim reforma të thella në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për tërheqjen e kapitalit të huaj dhe zhvillimin e përgjithshëm të tregut të lirë. Pavarësisht potencialit që Kosova mban, nuk ka investitorë që do të bindet të vijë në Kosovën e tensionuar politikisht, të ndarë etnikisht dhe të sfiduar nga mungesa e efikasitetit të sistemit të drejtësisë”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Në këtë pikë kërkohet bashkëpunim më i madh i vendeve nëpër të cilat kalojnë kosovarët, siç janë Serbia dhe Hungaria. Kryeministri Isa Mustafa premtoi se do të nënshkruajë marrëveshje me vendet e BE-së për punë sezonale.

“Ministritë përkatëse, sidomos ajo e Punëve të Brendshme po luftojnë grupet kriminale që abuzojnë me jetën e qytetarëve të Kosovës, por në të njëjtën kohë ne presim që këtë ta bëjnë edhe vendet fqinje të cilat qytetarët po i shfrytëzojnë si korridore për të emigruar. Jemi të vetëdijshëm se kjo mund të ndikojë edhe në proceset integruese, edhe në atë të liberalizimit të vizave, si procese shumë të rëndësishme për Kosovën, por nga ana tjetër askush nuk mund të presë nga qytetarët tanë që ata të parapëlqejnë geton në këtë pjesë të Evropës”, tha Mustafa.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme akuzoi Serbinë se, pavarësisht kërkesave për kontroll më të rreptë në kufi po qëndron indiderente.

Por sesa sfiduese është kjo situatë për qeverinë e re, këtë e tha shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar. Ai bëri të ditur se kërkesat për azil shqyrtohen në baza individuale dhe gjasat janë që shumica të refuzohen.

“Njerëzit kudo, edhe në Kosovë, dëshirojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Për këtë, njerëzit kanë nevojë ta shohin të ardhmen në Kosovë dhe jo jashtë saj. Thënë thjesht, ata kanë nevojë për vende pune dhe një sinjal se do të jenë të gatshëm të sigurojnë një të ardhme të mirë për familjen. Kryeministri Mustafa dhe qeveria e tij kanë një sfidë të madhe para vetes. Koha po kalon dhe ata duhet të punojnë, ta ndezin dritën në fund të tunelit për të siguruar të ardhme më të mirë për qytetarët. Në rastin e Kosovës ka shanse shumë të vogla që kërkesa për azil të pranohet. Çdo vendim është individual dhe duhet të theksohet se shumica e kërkesave që vijnë nga qytetarët kosovarë për azil refuzohen”, deklaroi Zhbogar.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme është duke e hetuar këtë fenomen në disa pista, njëra prej tyre ka në fokus kompanitë e transportit. Emigrimi ilegal bëhet edhe më shqetësues për faktin se Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe ikja e qytetarëve e vështirëson gjithë procesin.

Top Channel