Në mitingun e muslimanëve edhe Gauck e Merkel: Gjithçka për të luftuar intolerancën

13/01/2015 00:00

Vetëm një ditë pasi i bëri thirrje pjesës islamike të Gjermanisë, apo komunitetit musliman që jeton atje, për pjesëmarrje në miting, Kancelarja Angela Merkel njoftoi se qeveria e saj do të përdorë të gjitha mënyrat në dispozicion të saj për të luftuar intolerancën dhe diskriminimin, duke e quajtur përjashtimin e grupeve të caktuara nga shoqëria si “njerëzisht të dënueshëm”.

Komentet e saj vijnë gjithashtu një ditë pasi 25 mijë demonstrues antiislamikë marshuan në qytetin lindor të Dresdenit, duke kërkuar rregulla më të ashpra emigracioni dhe dhënien fund të multikulturalizmit. Po sot, organizatorët e një mitingu në Berlin – grupe muslimanësh që promovojnë tolerancën dhe lirinë fetare në Gjermani – thanë se në të do të marrin pjesë edhe Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti Joachim Gauck.

“Ajo që duhet të bëjmë në këtë moment është të përdorim të gjitha mënyrat në dispozicion si një shtet kushtetues për të luftuar intolerancën dhe dhunën”, tha Merkel në një konferencë për shtyp nga kryeqyteti gjerman Berlini.

Rreth 100 mijë njerëz përllogariten të kenë marrë pjesë në antidemonstratat kundër racizmit në disa marshime të tjera të organizuara anembanë Gjermanisë gjatë së hënës. Ndërkohë që lëvizja me bazë në Dresden e quajtur PEGIDA (Europianët Patriotikë Kundër Islamizimit të Perëndimit) ka tërhequr shumë pak mbështetje nëpër qytetet e tjera.

E megjithatë, PEGIDA përbën një sfidë madhore politike ndaj Merkelit. Partia e saj konservatore përfshin edhe skeptikë ndaj emigrantëve, ndërsa anëtarë të një partie të re të së djathtës “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) të shfaqur të tërbuar kohët e fundit janë bërë aleatë me PEGIDA-n.

Një sondazh i kryer së fundi nga Fondacioni Bertelsmann tregon se 57 përqind e gjermanëve jomuslimanë ndihen të kërcënuar nga Islami, teksa kjo anketë është bërë përpara sulmeve vdekjeprurëse të militantëve islamikë në Paris, nga ku mbetën 17 viktima javën e kaluar.

Duke folur përpara se të merrte pjesë në tubimin e Berlinit, të organizuar prej grupeve muslimane për nder të viktimave të sulmeve në Paris, Merkel dha një prej refuzimeve më të forta kundrejt lëvizjes PEGIDA dhe simpatizantëve të saj.

“Të përjashtosh një grup njerëzish për shkak të besimit të tyre, kjo nuk është aspak e vlefshme për një shtet të lirë ku ne jetojmë sot. Nuk është aspak në përputhje me vlerat tona themelore. Madje është edhe njerëzisht e dënueshme”, u shpreh Merkel. “Ksenofobia, racizmi, ekstremizmi nuk kanë vend këtu. Ne do të luftojmë për t’u siguruar se këto nuk do të gjejnë vend as në ndonjë tjetër shtet”.

Komentet e saj gjatë së hënës se “Islami i përket edhe Gjermanisë”, të bëra gjatë një konference për shtyp me kryeministrin turk, pushtuan faqet e para të mediave më të rëndësishme gjermane. Ato u qortuan nga disa prej politikanëve, përfshi Wolfgang Bosbach, një anëtar veteran i kristiandemokratëve të Merkelit (CDU).

“Për çfarë Islami e ka fjalën Kancelarja? A përfshihen në të edhe islamikët fundamentalë dhe salafistët?”, është shprehur Bosbach për gazetën “Saarbruecker Zeitung”. “Gjermania ka një traditë kulturore judaisto-kristiane, jo një kulturë islamike”.

Top Channel