Maqedonia nuk ndihet e kërcënuar nga sulmet terroriste. Pas sulmit vdekjeprurës ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris, ministri i Mbrotjes në Shkup, Zoran Jolevski tha se autoritetet maqedonase po e ndjekin me vëmendjen situatën dhe siguroi qytetarët se aktualisht Maqedonisë nuk i kanoset asnjë rrezik mbi sigurinë.

“Po i ndjekim me kujdes ngjarjet që ndodhin në botë, duke përfshirë edhe ngjarjet e fundit në Paris. Krahas analizave tona bëjmë edhe analiza të përbashkëta me vendet partnere për situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon. Nga informacionet që posedojmë mund të them se aktualisht, Republika e Maqedonisë është vend i sigurt”, deklaroi Jolevski.

Pas ngjarjeve në kryeqytetin francez edhe përfaqësuesit e policisë në Shkup kanë folur për situatën e sigurisë në vend. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotoveski tha se Maqedonisë nuk i kanoset ndonjë rrezik nga terrorizmi. Ai bëri me dije se policia maqedonase është në kontakt me shërbimet franceze dhe është e gatshme të ndërhyjë në rast rreziku.

Por, ndryshe nga zyrtarët e policisë dhe ushtrisë, ekspertët e sigurisë nuk përjashtojnë rrezikun që mund t’i kanoset vendit nga terrorizmi islamik. Ata u kanë kujtuar autoriteteve vendore se para masakrës në Paris edhe shërbimet franceze kishin pohuar se e kishin nën kontroll situatën e sigurisë.

Top Channel