Itali, Renzi: Napolitano jep dorëheqjen për arsye shëndetësore

13/01/2015 00:00

Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, do të japë dorëheqjen brenda pak orësh. Kështu ka njoftuar kryeministri italian Matteo Renzi këtë të martë, duke hapur kështu një proces politik tepër delikat për të emëruar kreun e ri të shtetit që do të pasojë Napolitanon.

Presidenti 89-vjeçar, i cili pranoi me gjysmë zemre një mandat të dytë gjatë vitit 2013 për të qëndruar në krye të shtetit italian, pas ngërçit zgjedhor që kërcënonte të linte Italinë në mëshirë të fatit në aspektin politik, deklaroi gjatë muajit të kaluar se do të dorëhiqej së shpejti për shkak të moshës.

“Do të doja që të gjithë ne të përshëndesnim Napolitanon, një europian i përkushtuar, i cili do të largohet nga posti i tij brenda pak orësh, pasi ka përballuar me inteligjencë dhe zgjuarsi shumë vështirësi politike në Itali”, tha Renzi gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Europian, i cili shënonte edhe mbylljen e Presidencës italiane të BE-së.

Për Napolitanon ishte thuajse gjerësisht e pritshme që të largohej nga Presidenca në fund të drejtimit 6-mujor të Bashkimit Europian nga Italia, kryesim që përfundon zyrtarisht sot.

Votimet në Parlament për të emëruar një President të ri priten të nisin në fund të janarit. Ndërkohë që për të zgjedhur një të tillë duhen 2/3-tat e votave të ligjvënësve në të dy dhomat e legjislativit, Dhomën e Lartë dhe të Ulët, në tre raundet e para.

Ndaj, zgjedhja e një Presidenti të ri do të jetë një tregues se sa i fortë është kontrolli i Renzit ndaj ligjvënësve në Partinë Demokratike në pushtet, një parti e qendrës së majtë. Kreu i shtetit italian ka fuqi të zgjeruara politike. Ai mund të emërojë kryeministrin, të shpërndajë Parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

Kandidatë potencialë për të pasuar Napolitanon janë Romano Prodi, ish-kryeministër i Italisë dhe President i Komisionit Europian, por edhe Giuliano Amato, ish-kryetar qeverie. Të dy këta kanë qenë kandidatë për Presidencën edhe në të kaluarën.

Top Channel