Napolitano: Në “Quirinale” dukesh si i burgosur, i kënaqur për kthimin në shtëpi

13/01/2015 00:00

“Sigurisht që jam i lumtur që do të rikthehem në shtëpi”, kështu është shprehur Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano, i cili pritet nga momenti në moment të dorëzojë dorëheqjen nga posti, siç e kishte njoftuar në fund të vitit të kaluar, pas një impenjimi publik.

“Këtu në Quirinale jetohet mirë, është gjithçka shumë e bukur – ka shtuar ai, teksa ka folur me një fëmijë në sheshin para Presidencës, – por është si të jetosh në burg. Në shtëpi do të jem më mirë, por do të dal edhe shëtitje”.

Kreu i shtetit italian është ndalur edhe te ngjarjet e fundit në Francë, e veçanërisht në reagimet që pasuan masakrën. “Jemi të inkurajuar nga manifestimi i jashtëzakonshëm i Parisit, por duhet të jemi vigjilentë pa shkaktuar alarm. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për nevojshmërinë e një shteti që, përveç lirive e diskutimeve politike parlamentare, di të gjejë unitetin fundamental përpara çështjeve të rëndësishme dhe në momentet më kritike”.

Duke u kthyer për në pallatin presidencial pas një impenjimi publik, Napolitano u ndal në shesh për të përshëndetur disa djem të rinj që marrin pjesë në nismën e policisë për të sensibilizuar të rinjtë të përdorin internetin në mënyra sa më të sigurta.

Top Channel