Baleti, profesioni në majë të gishtave

13/01/2015 00:00

50 vite më parë, Nermin Strazimiri veshi puantet e baletit. Që nga ajo kohë, ende nuk i është ndarë kërcimit, sot në rolin e mësueses.

Si çdo ditë, Piti – siç e njohin të gjithë – drejtohet pranë Shkollës së Baletit me miken e saj të pandashme, biçikletën.

Është e ndërgjegjshme se baleti, edhe pse të dhuron shumë kënaqësi shpirtërore, mund të jetë i rrezikshëm, nëse nuk tregohet kujdes gjatë ekzekutimit të numrave.

Dikur ishte një balerinë e talentuar, duke marrë madje Urdhrin e Artë “Naim Frashëri”, por pasi doli në pension në vitin 1998, Nermin mëson brezat e rinj, të cilët e quajnë veten me fat që kanë një mësuese si ajo.

Profesioni që ushtron, në bazë të ligjit shqiptar konsiderohet i rrezikshëm apo i dëmshëm, së bashku me 71 profesione të tjera, të cilat mund të kenë pasoja për shëndetin, nëse mungon kujdesi.

Nëe listë përfshihen gjithashtu valltari i ansambleve, akrobati, gjimnasti i cirkut, solisti i Operës, apo muzikanti i veglave frymore.

Jashtë nuk mund të mbeten profesione të tilla si minatori, punonjësit e industrive të ndryshme kimike, metalurgjike, elektrike, si dhe të gjitha punët në ndërmarrjet ushtarake.

Paçka vështirësive të përditshme, ato kanë një të përbashkët: edhe pse ka rrezik, të gjithë i duan punët që bëjnë.

Top Channel