Shqipëri-Gjermani, brenda vjeshtës marrëveshja e pensioneve

13/01/2015 00:00

Brenda vjeshtës Shqipëria dhe Gjermania do të nënshkruajnë marrëveshjen për pensionet e emigrantëve.

Ky angazhim u shpreh gjatë vizitës që sekretari gjerman i Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Jorg Asmussen pati me ministrin Erjon Veliaj.

Ministri Veliaj theksoi se ky është një lajm i mirë për të gjithë ata shqiptarë, të cilët kanë menduar se puna e tyre në Gjermani nuk do të shpërblehej edhe me vitet e punës në Shqipëri.

Edhe zyrtari gjerman e vlerësoi si një bashkëpunim të frytshëm mes dy vendeve fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen sociale.

Nga ana tjetër, Asmussen preku edhe çështjen e hapjes së dosjeve në Shqipëri, duke inkurajuar shqiptaret qe të ecin përpara me këtë proces, sepse, sipas tij, vendi dhe njerëzit do të përfitojnë nga rezultatet e tij.

Veliaj dhe Asmussen diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e punësimit dhe studimin e mundësive për çertifikimin e punonjësve me çertifikata që njihen edhe nga vendet e BE-së.

Top Channel