SHBA, Romney do garojë sërish për president?

13/01/2015 00:00

Mitt Romney ka rizgjuar rrjetin e tij të mbështetësve politikë dhe donatorëve për një garë të tretë për marrjen e drejtimit të Shtëpisë së Bardhë.

Kështu raportojnë mediat amerikane. Një burim republikan tha për “Washington Post” se “është thuajse e sigurtë” se kandidati i mundur në vitin 2012 do të nisë një fushatë elektorale për presidencialet e 2016-s.

Sipas burimit, javën e kaluar ai u tha donatorëve në Nju Jork se ishte i interesuar të garonte sërish. Nëse e bën këtë, ai do të ketë përballë Jeb Bush në garën për kandidatin e republikanëve dhe më pas Hillary Clinton në zgjedhjet e përgjithshme.

Sipas “WP”, Romney, ish-guvernator i shtetit të Masaçusetsit, ka kaluar ditët e fundit duke kontaktuar aleatët politikë dhe burimet e mundshme të financimit të fushatës.

Raportimet sugjerojnë se bashkëshortja e tij, Ann është dakord me idenë, edhe pse ka ende rezerva në radhët e 5 djemve të tij. Në vitin 2008, Mitt Romney fitoi disa vota për të dalë i pari mes kandidatëve republikanë, por u mund më vonë nga McCain.

Katër vjet më vonë ai dështoi në fund të garës, duke humbur zgjedhjet përballë Barack Obama, që bindshëm siguroi fitoren dhe mandatin e tij të dytë.

Në 2012 fushata e tij u kritikua për faktin se u afrua shumë me emigrantët e komunitetit latin dhe se nuk u lidh me njerëzit e zakonshëm.

Mediat shkruajnë se këtë herë ai është i vendosur të mësojë nga gabimet e së kaluarës dhe po e konsideron ndihmën ndaj të varfërve si boshtin kryesor të fushatës së tij.

Nga ana tjetër, Jeb Bush, ish-guvernator i Floridës dhe vëllai i ish-presidentit George W. Bush, ka deklaruar disa herë se po e shqyrton seriozisht garimin për president.

Ai dhe zoti Romney mund të konkurrojnë të dy për të njëjtët mbështetës financiare, si dhe për republikanët e pavendosur.

Top Channel