5 mijë “luftëtarët e huaj” që kërcënojnë Evropën

13/01/2015 00:00

Janë nga 3 deri në 5 mijë shtetasit evropianë që pasi kanë udhëtuar jashtë kontinentit përbëjnë rrezik të lartë për sulme terroriste në Evropë.

Alarmi është dhënë nga drejtori i Europolit, Rob Wainwright, i cili duke raportuar në parlamentin britanik saktësoi se emrat e 2.500 të dyshuarve janë mbledhur nga agjencitë e vendeve anëtare të BE-së.

Zyrtari i lartë tha gjithashtu se agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë Evropën nuk kanë kapacitete për të monitoruar komunikimet online të të gjithë të dyshuarve.

Kjo është një nga “problemet më stresuese” me të cilat po përballet policia, deklaroi kreu i strukturës policore.

I pyetur se sa persona janë larguar nga Evropa për të udhëtuar në vende si Siria, zoti Wainwright u përgjigj: “Mund të flasim për 3 deri në 5 mijë shtetas evropianë”.

“Është e qartë se kemi të bëjmë me një numër të madh të rinjsh që mund të kthehen dhe që kanë potencialin, por edhe synimet, për të kryer sulme si ai që pamë në Paris javën e kaluar”, deklaroi Wainwright.

Kreu i Europol theksoi gjithashtu se ka një “boshllëk sigurie” me të cilët përballen forcat e policisë në mbarë Evropën që përpiqen të gjurmojnë ekstremistët online.

Sipas tij, në disa raste të dyshuarit si element potencialë për sulme terroriste kanë qenë të paarritshëm nga agjencitë policore. “E vërteta është se autoritetet e sigurisë sot nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur plotësisht shoqërinë nga kërcënime të tilla”, tha Wainwright.

Deklarata e tij përputhet me atë të bërë javën e kaluar nga shefi i shërbimeve sekrete të brendshme në Britani, Andrew Parker, se MI5-a nuk mund të parandalojë çdo sulm terrorist dhe se rreth 600 britanikë mendohet se kanë udhëtuar për në Siri.

Top Channel