Obama kërkon të forcojë ligjet kibernetike

14/01/2015 00:00

Pas sulmeve kibernetike ndaj “Sony Pictures Entertainment” dhe së fundmi ndaj profileve në “Twitter” dhe “YouTube” të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Barack Obama ka shpalozur propozimet e tij për të forcuar ligjet e sigurisë kibernetike.

“Vala e sulmeve të fundit pasqyron nevojën për forcimin e legjislacionit”, tha Obama. Propozimet do të dërgohen menjëherë në Kongres. Përpjekjet e mëparshme për ndryshimin e legjislacionit kibernetik kanë hasur në kundërshtime nga aktivistë të të drejtave civile. Këtë herë, sipas mediave ndërkombëtare, Kongresi i drejtuar nga republikanët do të mbështesë legjislacion e ri.

Presidenti amerikan i cilësoi sulmet kibernetike si një rrezik urgjent dhe në rritje, teksa shtoi se SHBA do t’i bëjë ballë atyre.

Legjislacioni do të kërkojë që kompanitë të njoftojnë klientët rreth shkeljeve të të dhënave, disa prej të cilave kanë goditur kompani të mëdha amerikane të shitjeve me pakicë gjatë muajve të fundit. Legjislacioni do ta cilësonte krim shitjen e informacioneve të vjedhura.

Njoftimi i së martës vjen pas sulmit ndaj profileve në “Twitter” dhe në “YouTube” të Komandës Qendrore të SHBA nga një grup që identifikohet si i afërt me Shtetin Islamik. Në një mesazh të postuar nga hakerat thuhet: Ushtarë amerikanë, po vijmë, ruhuni. Mesazhi mbante firmën e ISIS, një tjetër stemë me të cilën identifikohet Shteti Islamik. Disa dokumente ushtarake të brendshme u shfaqën gjithashtu në llogarinë e komandës në rrjetin social “Twitter”. “Centcom” deklaroi se po reagon ndaj këtij sulmi me “masat e duhura”.

Ndërsa më 22 nëntor të vitit të kaluar një sulm kibernetik ndodhi mbi kompaninë “Sony Pictures”, duke ekspozuar sasi të mëdha të të dhënave të brendshme të kompanisë, përfshirë informacione personale të punëtorëve. Për këtë rast Shtetet e Bashkuara akuzojnë Korenë e Veriut, duke ashpërsuar edhe sanksionet mbi të.

Top Channel