Japonia miraton buxhetin më të madh në histori për mbrojtjen

14/01/2015 00:00

Japonia ka miratuar të mërkurën buxhetin më të madh të mbrojtjes në historinë e saj për vitin e ardhshëm.

Mes tensioneve të vazhdueshme me Kinën, Shinizo Abe duket se ka si synim të forcojë mbikëqyrjen e ujërave territorial. Deri në marsin e vitit 2016, Tokio do të shpenzojë gati 42 miliardë dollarë, ka thënë qeveria japoneze, duke e bërë këtë buxhetin më të madh të miratuar ndonjëherë për mbrojtjen.

Rritja e ndjeshme e buxhetit ushtarak reflekton dëshirën e Abe për të ndërtuar një ushtri më aktive, në rast të një përshkallëzimi të mundshëm të tensioneve me Kinën. Me të cilën Tokio është në mosmarrëveshje mbi pronësinë e ishujve në Detin e Kinës Lindore.

Ishujt Senkaku, të cilat Japonia i konsideron si territor të sajin, pretendim që refuzohet nga Pekini, ndodhen në një zonë pothuajse të baraslarguar midis dy shteteve dhe për to ka pretendime edhe shteti i Tajvanit.

Pjesë përbërëse e Japonisë në bazë të disa traktateve të paratifikuar ndërkombëtare, grupi i ishujve Senkaku, përreth të cilit u zbuluan së fundmi rezerva nafte nënujore, u blenë gjatë 2012-s prej Tokios nga pronari i tyre i ligjshëm.

Një veprim i tillë ngjalli tërbimin e Pekinit, që shpalli se nuk do të njohë sovranitetin japonez dhe protestoi ndaj blerjes, si një incident të rrezikshëm në përvetësimin e territoreve, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Top Channel