Australi, kërkimet për MH370, tashmë me “drone” nënujor

14/01/2015 00:00

Kërkimet për avionin e “Malaysia Airlines”, të humbur më 8 marsin e vitit të kaluar, vijojnë ende, teksa një anije e katërt e pajisur me një “drone” të sofistikuar nënujor është bashkuar në operacionin për fluturimin MH370, bën të ditur koordinatori australian i kërkimeve.

Muaj të tërë kërkimesh kanë dështuar të gjejnë një ndonjë gjurmë të avionit “Boeing 777”, i cili u zhduk së bashku me 239 pasagjerët e ekuipazhin në bord, vetëm pak pasi ishte ngritur në fluturim nga kryeqyteti i Malajzisë, Kuala Lumpur, me destinacion Pekinin.

Faza aktuale e kërkimeve është e fokusuar në një sipërfaqe të thyer prej 60 mijë kilometrash katrorë, të pa përfshirë më parë të fundit të detit, rreth 1600 km në perëndim të qytetit australian të Perthit.

Firma inxhinierike holandeze “Fugro” ka nisur 3 anije për të fotografuar dhe më pas kërkuar fundin e detit në zonën në fjalë. Anija e re kërkimore “Fugro Supporter” është e pajisur me një mjet autonom nënujor (AUV) të quajtur “Kongsberg Hugin 4500”, i cili është paraprogramuar për kërkime në një zonë të caktuar e më pas për t’u lëshuar, e jo i lidhur përmes një kablli me anijen.

“AUV do të përdoret për të skanuar ato pjesë të zonës së kërkimit që nuk mund të kontrollohen në mënyrë efektive nga mjetet e zakonshme në anijet e tjera kërkimore”, bëri të ditur Agjencia Qendrore australiane e Koordinimit (JACC) përmes një deklarate.

Më shumë se 14 mijë km katrorë të fundit të detit janë kontrolluar deri më tani, ndërsa kërkimet në zonën e përcaktuar këtë herë priten të përfundojnë nga fillimi i muajit maj, pa marrë parasysh vonesat. “Fugro Supporter” pritet të mbërrijë në zonën kërkimore nga fundi i janarit.

Top Channel