“Charlie Hebdo” pushton Parisin, disa stenda boshatisen që në orët e para të mëngjesit

14/01/2015 00:00

“Charlie Hebdo” jeton sërish. Revista satirike franceze mbërriti nëpër stendat kryesore të shitjes së gazetave mëngjesin e së mërkurës, pikërisht 1 javë pas agresionit të terroristëve në zyrat e saj, duke lënë të vdekur 12 persona, mes të cilëve edhe karikaturistët më të shquar të saj.

Në 10 minuta e mbaruan të gjithë stokun tonë – rrëfeu për Le Figaro shitësja në një kioskë pranë stacionit Auber në kryeqytet. Njerëzit e kishin pritur daljen e të përjavshmes prej 6 orësh. 3 milionë kopje janë shpërndarë në të gjithë Francën, por edhe në shtete të tjera, plot 50-fishi i tirazhit të përjavshëm të revistës në të kaluarën, prej 60 mijë kopjesh.

“Charlie ka edhe më shumë miq tashmë”, pretendon një letër në faqen e dytë të numrit të ri. Letra falënderon “miliona” mbështetësit “të cilët janë vërtet në anën e gazetarëve, e që ndihen sinqerisht dhe thellësisht ‘Charlie’”, duke i bërë një tjetër jehonë sloganit “Unë jam Charlie”, i cili është i gjithëpranishëm në kryeqytetin francez.

Një prej karikaturave të numrit të së mërkurës është i titulluar “Ruani qetësinë dhe mbani gjallë Charlie-n”, një rimodelim i shprehjes britanike “Ruani qetësinë dhe vazhdoni në rrugën tuaj”.

Edhe disa parizienë, të cilët përbuznin në të kaluarën pozicionet sekulariste të revistës dhe ndonjëherë edhe karikaturat e turpshme, kanë thënë se do të blejnë një kopje të këtij numri, si një reagim kundër akteve terroriste të javës së kaluar.

Shifrat e shitjes nuk mund të bëhen menjëherë të ditura, por disa kioska tregtare dhe stenda të shitjes së gazetave në Paris thuajse janë boshatisur që në orët e para të mëngjesit. Madje tregtarë të ndryshëm kanë kufizuar sasinë e shitjeve në vetëm një revistë për person, kjo për shkak të radhëve të gjata.

Kopertina e revistës është një ilustrim i Profetit Muhamed të përlotur, i cili mban në duar një parrullë “Unë jam Charlie”, të shoqëruar edhe me fjalët “Gjithçka është falur tashmë”.

Karikaturistët e Muhamedit janë tepër kontroversialë në botën muslimane. Portretizimet e Profetit në numrat e kaluar të revistës kanë qenë edhe motivi i agresorëve të masakrës së javës së kaluar.

Kopertina e re është pritur me emocione të përziera: disa muslimanë janë të fokusuar te e drejta e revistës për t’u shprehur lirisht, ndërsa disa të tjerë kanë kritikuar atë si provokuese pa arsye dhe tepër ofensive.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel