Çmimi i naftës, rekord të ri 6-vjeçar. “Brenti” barazohet me bruton amerikane

14/01/2015 00:00

Çmimi i naftës ra me 5% drejt një rekordi të ri 6-vjeçar, përpara se të rikuperohej sërish gjatë së martës, ndërkohë që çmimi referent “Brent” thuajse u barazua me atë të naftës së papërpunuar amerikane, për herë të parë që pas 3 muajsh, ndërkohë që disa tregtarë u përpoqën ta shfrytëzonin në avantazhin e tyre, duke shtuar hapësirat e magazinimit në Shtetet e Bashkuara.

Tregtarët nisën të magazinonin tepricën e naftës, e cila ka pësuar një ulje çmimi prej 60% gjatë 6 muajve të fundit. Deri më tani, këtë javë, “brenti” ka rënë me 7% ndërsa nafta amerikane 5%. Konkretisht “Brenti” arriti normalizmin në 46,59 dollarë për fuçi, pasi ra deri në 45,19 dollarë për fuçi, shifra më e ulët që prej marsit 2009, ndërsa nafta amerikane u tregtua me 45,89 dollarë për fuçi, edhe pse kapi edhe shifrën më të ulët prej prillit 2009 me 44,20 dollarë për fuçi.

Nafta ka pësuar një ulje drastike të çmimit pasi prodhuesit më të mëdhenj të OPEC-ut, Emiratet e Bashkuara Arabe, mbrojtën vendimin e grupit për të mos ulur prodhimin, që do të nxiste rritjen e çmimit.

Gara mes “Brentit” dhe naftës amerikane arriti në një moment barazinë, për herë të parë që prej tetorit, pasi të dyja u shitën në tregje me 46 dollarë për fuçi.

Tregtarët janë ende në dyshime, se deri kur mund të vazhdojë kjo ulje kaq e frikshme e çmimit të naftës.

Top Channel