“Charlie Hebdo” s’ndalet, numri i ardhshëm më 28 janar. Ja risitë

14/01/2015 00:00

Aventura e “Charlie Hebdo”-së nuk ka mbaruar me këtë rikthim në treg, pasi numri i ardhshëm është programuar për më 28 janar.

Ashtu siç nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë, ai do të përkthehet edhe në 5 gjuhë të tjera, përfshirë anglishten, spanjishten dhe arabishten. Një pjesë do jenë të printuara, një pjesë online.

Redaksia ka pranuar gjithashtu që të përkthehet e botohet edhe në turqisht, nga gazeta opozitare “Cumhuriyet”, me të cilën ka lidhur partneritet. “Turqia po jeton një moment të vështirë, – argumentoi kryeredaktori Gerard Biard. – Laicizmi atje po sulmohet shumë fort”.

Një partneritet të ngjashëm, “Charlie Hebdo” ka në plan të krijojë edhe me të përditshmen italiane “Il Fatto Quotidiano”.

Jashtë Francës, faqen e parë të “Charlie Hebdo”-së e kanë publikuar edhe “Washington Post”, “Frankfurter Allgemeine” e Gjermanisë, italiania “Corriere della Sera” e britanikja “the Guardian”.

Shumë pak gazeta në Lindjen e Mesme e Afrikën e Veriut e kanë riprodhuar këtë imazh. Vendimi i revistës satirike franceze për të nxjerrë një tjetër karikaturë të Profetit është pasuar me kërcënime të reja të militantëve islamikë, e kritika në mbarë botën islame.

Top Channel