Turqia, zemra e trafikimit të qenieve njerëzore, kryesisht refugjatë sirianë

14/01/2015 00:00

Roli i Turqisë në trafikimin e qenieve njerëzore është vënë në qendër të vëmendjes, pas mbërritjes së dy anijeve pa ekuipazh në brigjet italiane, të cilat ishin të mbushura me qindra refugjatë; shumica sirianë, që i largohen konfliktit në vendin e tyre.

Të paktën njëra prej anijeve mendohet të ketë përdorur Turqinë, si bazë për ngarkimin e klandestinëve, çka shtyu Bashkimin Europian t’i kërkojë Ankarasë të marrë masa urgjente.

Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” në Stamboll, Dorian Jones, shpjegon se si organizohet dërgimi i emigrantëve për në Europë. Prapa një kafeneje, në distriktin e varfër Dolapdere të qytetit më të madh të Turqisë – thotë ai, – qëndron një person ndërlidhës, i cili çon klandestinët te kontrabandistët.

Ai është nga Afrika Perëndimore dhe preferon të mos e zbulojë identitetin e vërtetë. Ndërlidhësi rrëfen se ka mbërritur në Stamboll përkrah emigrantëve të tjerë, me synimin të shkonte në Europë, por vendosi të qëndrojë kur pa se në Turqi mund të kishte një jetë të mirë.

Sipas tij, qyteti turk është një nga qendrat kryesore për organizimin e trafikut njerëzor me anije. Udhëtimi mund të shkoje edhe tre muaj, ndërsa mjetet e përdorura lundruese mbajnë deri në 600 vetë. Është një biznes i madh e mjaft fitimprurës.

Ekspertët sqarojnë se deri kohët e fundit, rruga nga Stambolli deri në Greqinë fqinje e më tej për në Bullgari, ishte rruga më e përdorur dhe më e lirë për emigrantët. Por, shtimi i suksesit të forcës së sigurisë “Frontex” me mbështetjen e BE-së, që u krijua për patrullimin e kufijve të vetë unionit, i ka detyruar kontrabandistët ta rimendojnë strategjinë e tyre.

Bosfori, një rrugë detare ndërkombëtare që kalon në zemër të Stambollit, ofron një sfidë unike për autoritetet dhe i jep mundësi te reja trafikantëve. Në Turqi ndodhen aktualisht rreth 2 milionë refugjatë sirianë. Dhe, për sa kohë Brukseli i injoron kërkesat e Ankarasë që të bëhet më tepër për të ndarë barrën e emigrantëve, edhe autoritetet turke tregojnë shumë pak vëmendje për shqetësimet e bllokut europian në lidhje me numrin në rritje të klandestinëve.

Top Channel