“BQE, asnjë pengesë ligjore për blerjen e obligacioneve”

14/01/2015 00:00

Një gjykatës i lartë i Bashkimit Europian ka bërë të ditur se programi i Bankës Qendrore Europiane për të blerë obligacione është tërësisht i ligjshëm.

Avokati mbrojtës Cruz Villalon tha se programi për Transaksione të Drejtpërdrejta Monetare (OMT) është në përputhshmëri të plotë, në parim, me ligjet e Bashkimit Europian. Por, ai shtoi se nëse programi do të implementohet, përputhshmëria e tij do të varet edhe nga fakti nëse do të përmbushen disa kushte.

Blerja e obligacioneve bëhet me synimin për të stimuluar ekonominë e eurozonës, por përballet me një sfidë ligjore nga Gjermania. Plani OMP i shpallur në vitin 2012 nuk është vendosur kurrë në praktikë deri më sot, edhe pse ka ndihmuar së tepërmi në rikthimin e besimit në tregjet e eurozonës.

Gjithsesi, duke qenë se eurozona përballet me kërcënimin e deflacionit dhe recesionit, është shtuar presioni ndaj Bankës Qendrore Europiane për të nisur lehtësimet sasiore, gjë që mund të përfshijë edhe fillimin e operacionit për blerjen e obligacioneve.

Jonathan Loynes, kryeekonomisti europian në “Capital Economics” tha se “në përgjithësi, duket se pengesat përfundimtare për lehtësimet sasiore janë zhdukur”.

“Megjithatë, duke parë kujdesin e natyrshëm të BQE-së, kundërshtimet e Gjermanisë dhe efektet e kufizuara të lehtësimeve sasiore, do të ishte normale të pritet transformimi i perspektivës së ekonomisë së eurozonës”.

Top Channel