BE, prioritetet e Presidencës letoneze. Ballkani kushtëzohet me kriteret

14/01/2015 00:00

Këndvështrimi i ri për fqinjësinë e BE-së, veçanërisht në lindje por dhe në jug, është prioriteti aktual i Presidencës së re. Seanca plenare nisi në Strasburg, jo vetëm me homazhet për ngjarjet tronditëse të javës së kaluar në Francë, por edhe duke përkujtuar çlirimin nga rusët të kampit të përqëndrimit në Auschwitz, 70 vjetë më parë, siç përmendi drejtuesi gjerman i PE-së, Martin Schulz.

“70 vjet më parë, më 27 janar 1945, në Auschwitz u çlirua kampi i përqëndrimit nga trupat sovjetike. Ato që panë çlirimtarët shokuan gjithë botën dhe vazhdojnë edhe sot. Përgjegjësia e individëve është marrë me vete, në varret e tyre. Megjithatë, ne ndajmë përgjegjësi të përbashkët për të garantuar se kjo nuk do të ndodhë më. 70 vjet pas çlirimit të hebrejve në Auschwitz, Europa ende trembet për sigurinë e saj. Kjo duhet të na tmerrojë dhe ne duhet të rezistojmë ndaj kësaj frike. Ne duhet të garantojmë që kjo urrejtje të mos përhapet. Si shembull sjell ngjarjet e fundit në Paris”, është shprehur Martin Schulz, President i PE.

“Kujdes nga nisjet e gabuara. Ne duhet të kujtojmë historinë e të nxjerrim mësimet e duhura. Sot jemi mbledhur në territorin francez dhe si mund të harrohet drama, tragjedia kolektive dhe individuale; mbetemi të shokuar, të nervozuar dhe absolutisht të neveritur nga çfarë ndodhi në Paris dhe zonën përreth tij, javën e shkuar. Po, ne jemi të gjithë Charlie! I dhamë fund Presidencës italiane dhe, në marrje të drejtimit nga Letonia është një moment për të reflektuar pak më larg. Kush do ta kishte besuar në 1957-n, se në 2015-n Letonia do të udhëhiqte BE-në për qëllimet e Europës?! Duke na drejtuar, kjo jep shembullin e pajtimit të historisë me gjeografinë”, deklaroi Jean-Claude Junker, President i KE-së.

Për zgjerimin, sipas strategjisë 6-mujore, Letonia angazhohet për vazhdimin e negociatave me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit kushtëzohen nga meritat individuale të përmbushjes së kritereve.

“Ky parim do të udhëheqë punën e Presidencës në avancimin drejt perspektivës europiane të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas fazës respektive të integrimit të tyre, me qëllimin final anëtarësimin në Bashkimin Europian”, thuhet në dokumentin që njeh “rëndësinë strategjike të zgjerimit” për stabilitetin politik dhe ekonomik të Europës.

Përveç politikës së fqinjësisë dhe zgjerimit, në fokus të Presidencës së re qëndron zhvillimi i qëndrueshëm, dixhitalizimi, barazia gjinore, partneriteti tregtar me SHBA-të, Kanadanë e Japoninë, si dhe strategjia e BE-së me Azinë Qendrore për sigurinë, menaxhimin e kufijve dhe ofertën energjetike.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel