Vuçiç në Kosovë: Djepi i Serbisë; simbolet shqiptare, kontrast vizitës së kryeministrit serb

14/01/2015 00:00

Pasi kaloi kufirin dhe hyri në Republikën e Kosovës, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u prit të mërkurën nga qindra serbë.

Por për të shkuar deri tek qendrat e komunave me shumicë serbe, eskortës së kryeministrit Vuçiq iu desh të kalonte nëpër fshtra ku shqiptaret e përshëndetën me flamurin kuqezi.

Kështu, në hyrje të komunës së Shtërpcës ishin radhitur dhjetëra flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë. Ndërsa në fshatin Brod të Shtërpcës, në rrugën kryesore nga kaloi eskorta e kryeministrit, banorët kishin vendosur fotografi të shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.

Rrugës kishte dhe mbishkrime drejtuar Vuçiç, që i bënin thirrje të kërkojë falje dhe të heqë dorë nga Republika e Kosovës.

Me të mbërritur në Shtërpcë, kryeministri serb menjëherë iu drejtua turmës së qytetarëve që kishin dalë ta prisnin. Ai i porositi bashkëkombasit e tij që të mos shesin pronat dhe shtëpitë në Kosovë, duke i siguruar se Serbia do t’i ndihmojë me donacione.

“Kosova është djepi i Serbisë. Ne si qeveri e Serbisë do të angazhohemi vazhdimisht që të krijojmë sa më shumë vende pune këtu, sa më shumë mirëqenie për serbët. Do të investojmë në arsim e shëndetësi. Kosovën nuk do ta harrojmë kurrë. Rroftë Kosova e Metohia dhe urime për vitin e ri”, deklaroi Vuçiç.

Me herët në Pasjan, pasi inauguroi një klinikë gjinekologjike, Vuçiç u drejtoi një apel sërbëve të Kosovës, duke u kërkuar që të bëjnë sa më shumë fëmijë.

Në përfundim të vizitës në Shtërpcë, shefi i qeverisë serbe qëndroi edhe në ambientet e Komunës ku u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrat serbë të qeverisë së Kosovës, por pa praninë e simboleve shtetërore kosovare.

Top Channel