Al Kaeda në Jemen merr zyrtarisht përgjegjësinë e terrorit në Paris

14/01/2015 00:00

Dega e Al Kaedës në Jemen ka marrë përgjegjësinë për sulmet terroriste ndaj revistës satirike franceze, Charlie Hebdo, duke thënë se ai akt ishte urdhëruar nga udhëheqësit e grupit të militantëve islamikë për shkak të fyerjeve ndaj Profetit Muhamed.

Një pretendim i tillë qarkullonte prej pak ditësh, por tashmë është publikuar edhe një video në Youtube, për ta konfirmuar zyrtarisht këtë përgjegjësi.

“Sa për betejën e bekuar të Parisit, ne, organizata e Al Kaedës “al Jihad” në gadishullin arabik, marrim përsipër përgjegjësinë për atë akt, si shenjë hakmarrjeje për të dërguarin e Zotit”, u shpreh Nasser bin Ali al-Ansi, një udhëheqës i degës së Al Kaedës në Jemen (AQAP) gjatë regjistrimit.

Terroristët vranë 17 persona përgjatë 3 ditëve të dhunshme që nisën me të shtënat në redaksinë e “Charlie Hebdo”, për shkak të publikimeve të mëhershme të imazheve satirike të Profetit. Ansi, ideologu kryesor i AQAP-it, tha se “ai që zgjodhi objektivin, hartoi planin dhe financoi operacionin është lidershipi i organizatës”, pa përmendur ndonjë individ në veçanti.

Ai shtoi më tej por pa dhënë detaje, se sulmi ishte kryer në “implementim” të urdhrit të liderit të përgjithshëm të Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri, i cili kishte bërë thirrje për sulme nga muslimanët në Perëndim me të gjitha metodat e mundshme.

Top Channel