Hebrejtë e Francës të rrezikuar. Netanjahu: Shkoni në Izrael

14/01/2015 00:00

Sulmi në supermarketin e Parisit ishte më i fundit i një serie episodesh të dhunshme të viteve të fundit, që vënë në shënjestër komunitetin hebraik të vendit.

Në Francë jetojnë rreth gjysmë milioni hebrej, por prej kohësh kjo bashkësi nuk e ndien veten të sigurt. Dilema, me të cilën përballen sot shumë prej pjesëtarëve të saj, është të qëndrojnë apo të largohen.

Pas terrorit të javës së kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netaniahu u bëri thirrje hebrejve të Francës të mendojnë për sigurinë e tyre e të shkojnë në Izrael. Pjesa dërrmuese e 5 milionë muslimanëve që jetojnë në Francë janë paqësorë, por ka edhe përjashtime.

Sociologët francezë kanë identifikuar një lloj islamizmi popullor militant, i cili ndeshet veçanërisht te të rinjtë. Autoritetet janë përpjekur t’i sigurojnë hebrejtë mbi mbështetjen e plotë të qeverisë.

Pas mbledhjes së kabinetit të hënën, u vendos që të 717 sinagogat dhe shkollat hebraike të vendit të jenë tani e tutje nën mbrojtjen e policisë. Për këtë qëllim janë ngarkuar 4.700 ushtarë dhe policë. Por frika mbetet e pranishme.

Gjatë vitit 2014, rreth 7.000 hebrej emigruan nga Franca drejt Izraelit, rreth dy herë më shumë se në 2013-n. Statistikat e ofruara nga “Agjencia Hebraike e Izraelit” (JAI) nuk përfshijnë hebrejtë e emigruar në Shtetet e Bashkuara apo në Kanada.

Duhet theksuar, megjithatë, se jo të gjithë lëvizin vetëm për shkak të antisemitizmit, por rol në vendimet e tyre ka luajtur edhe kriza ekonomike. Franca ka popullsinë hebraike më të madhe në Europë, e cila thuajse është dyfishuar që prej Luftës së Dytë Botërore.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, kërcënimet antisemitike dhe ato të së njëjtës natyrë janë shtuar ndjeshëm vitin që kaloi.

Top Channel