Rama: Sistem i ri matësash energjie. S’ka alibi për hajdutët

14/01/2015 00:00

Qeveria do të investojë për një rrjet tërësisht të rinovuar të shpërndarjes së energjisë elektrike, bazuar në matësat inteligjentë.

“Ne do bëhemi vendi i parë i Evropës që do kemi instaluar 1.1 milionë matësa inteligjentë dhe do kemi një sistem shpërndarjeje inteligjent, që mund të kontrollojë në mënyrë të centralizuar dhe në kohë reale 1.1 milion burime shpërndarjeje dhe që merr sinjale nga çdo burim kur ai goditet dhe nuk e shpërndan energjinë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Kur kanë kaluar dy muaj nga operacioni intensiv në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kryeministri shprehu vendosmërinë për të çuar deri në fund luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

“Vitin 2006 OSHEE e nisi punën me 0 borxhe dhe deri në 2013, 7 vjet qeverisje të PD, borxhi kapërceu 1 miliard dollarë. Përsa kohë e kemi miratuar me ligj që vjedhja e energjisë është vjedhje si të gjitha gjërat e tjera që dënohen nga Kodi Penal, nuk ka alibi për askënd, i pasur apo i varfër”, theksoi Rama.

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri dhe ai i Brendshëm Saimir Tahiri e cilësuan këtë operacion si kthesë e timonit drejt ligjit, puna për të cilin do të vazhdojë.

“100 milionë dollarë më shumë arkëtim, humbje mbi 7 për qind, më e madhja historike e krahasuar në 10-12 viteve të fundit në reduktimin e humbjeve të të gjitha reformave që kanë kryer qeveritë e mëparshme. Nuk është gjithcka, por është dicka shumë e rëndësishme, sepse ka ndaluar spiralja, ka filluar kthimi”, tha Gjiknuri.

“Gjatë kësaj kohë janë arrestuar jo pak. Në flagrancë janë 744 persona, 583 prej tyre janë pronarë biznesesh, të tjerët janë me godina mbi 150 metra katrorë, ndërkohë që janë mbi 60 punonjësit e OSHEE”, tha Tahiri.

Top Channel