PD: Rama gjelbëron rrugën ku do të kalojë vetë. Reagon kryeministri: Vajmedet PD!

14/01/2015 00:00

Me sfond banesën e re të kryeministrit Edi Rama, demokratët kanë denoncuar një tjetër abuzim, sipas tyre me fondet publike dhe taksat e shqiptarëve, për luksin personal.

Sipas Partisë Demokratike, me një vendim qeverie të muajit nëntor është nisur projekti për gjelbërimin e rrugës anësore të Surrelit dhe ky vendim, për partinë më të madhe të opozitës, është marrë për t’i paraprirë jetesës në këtë banesë të kryeministrit.

“Me vendimin numër 17, datë 19 nëntor 2014, kryeministri dhe qeveria kanë dhënë 429 milionë lekë për gjelbërimin anësor të rrugës së Surrelit, ku është edhe shtëpia e kryeministrit. Meqenëse kryeministri do të hynte në janar në shtëpinë e re, në nëntor ka sjellë 429 mln lekë për gjelbërim”, u shpreh Ervin Salianji, departamenti për të Drejtat e Njeriut, PD.

Për demokratët, kjo është Shqipëria paralele që po ndërtojnë kryeministri dhe ministra të kabinetit të tij, hapësira luksi për veten dhe mjerim për shqiptarët, duke abuzuar rëndë me paratë e buxhetit, shtojnë demokratët në këtë denoncim.

Reagon Rama: Vajmedet PD

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur vetë akuzave të demokratëve për gjelbërimin e rrugës për në shtëpinë e tij me fondet publike.

Përmes profilit të tij në Facebook, Rama i kundërpërgjigjet demokratëve me një deklaratë të shkurtër që i ka dhënë tonin e një pyetjeje retorike.

“Fonde publike për të gjelbëruar rrugën e shtëpisë time?! Vajmedet PD që akoma nuk mësoi rrugët e Tiranës. Po se mos vetëm rrugët xhanëm…”, shkruan kryeministri.

Top Channel