Referendumi, Kolegji rrëzon KQZ. PD: Beteja vazhdon; PS: Harta s’ndryshon

14/01/2015 00:00

Kolegji Zgjedhor nuk i ka dhënë të drejtë KQZ-së për të pajisur me formularë 130 njësitë e pushtetit vendor që kanë kërkuar mbajtjen e referendumeve lokale, për të kundërshtuar ndarjen e re territoriale.

“Kolegji vendosi pranimin e padisë, shfuqizimin e kërkesës së KQZ dhe rrëzimin e kërkesës për zhvillimin e referendumeve lokale në njësitë vendore përkatëse”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues, Edlira Petri.

Por për demokratët beteja ligjore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk përfundon këtu.

“10 për qind e elektoratit të çdo njësie vendore ka bërë kërkesën në KQZ, kërkesë që nuk është shqyrtuar ende nga KQZ, është në verifikim dhe siç thotë neni 128 i Kodit Zgjedhor, ende KQZ nuk ka marrë një vendim për të. Pra, është një vendim i Kolegjit mbi një vendim të KQZ që ka ezauruar efektet, por që nuk mund të zhbëjë rreth 70 mijë firma. Këto kërkesa, që i drejtohen presidentit të Republikës, janë ende për t’u shqyrtuar dhe më pas do të vazhdojnë proçedurat e mëtejshme”, deklaroi deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.

Por ky pretendim i demokratëve nuk qëndron për socialistët. I kontaktuar në telefon nga Top Channel, përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, Genc Gjonçaj thotë se vendimi i Kolegjit Zgjedhor që e cilësoi të paligjshëm vendimmarrjen e KQZ për referendumet bën nul çdo veprim tjetër pas tij.

Kjo do të thotë se edhe çdo vendim i mëpasëm i KQZ mbi firmat tek të cilat besojnë demokratët nuk ka asnjë efekt ligjor, ndaj për Partinë Socialiste çështja e kërkesës së referendumeve përfundon këtu.

Debati, që në thelb ka zhvillimin e zgjedhjeve lokale me hartën e re territoriale, mesa duket nuk përfundon as me këtë vendim të radhes të Gjykatës së Apelit.

Por ajo që përballja në gjykatë mes palëve risolli në vëmendje është qëndrimi ndaj vendimeve të saj. Përfaqësuesi ligjor i PS nuk ishte i pranishëm gjatë dhënies së vendimit, ndërsa demokratët u shprehën të sigurtë.

“Presioni i qeverisë mbi sistemin e drejtësisë, që po materializohet përditë e më tepër, jo vetëm po zhbën gjithnjë e më shumë pavarësinë e gjyqësorit, por edhe çdo perceptim bazë të pavarësisë”, deklaroi më tej Bylykbashi.

Nëse palët do të imitonin njëra-tjetrën deri në fund, atëherë do të ishin socialistët që do të citonin demokratët kur ishin në pushtet: “Kur gjykatat flasin, të tjerët duhet të heshtin!”.

Top Channel