Samsung hedh në treg telefonin me sistemin e vet të operimit

14/01/2015 00:00

Samsung hodhi në shitje telefonin e radhës, i quajtur Z1 dhe që ndryshe nga produktet e tjera operon me sistemin e vet të zhvilluar nga kompania koreano-jugore.

Sistemi me të cilin operon ky telefon quhet Tizen. Në pamje të parë ka një ngjashmëri të madhe me sistemin Android të Google, të cilin Samsung ka përdorur deri më tani për të gjithë produktet e veta të telefonave inteligjentë.

Ndryshe nga Android, ikonat e shfaqura në ekran nuk kanë forma katrorë, por rrethore. Ky nuk është ndryshimi i vetëm. Në ndërtimin e sistemit Samsung ka synuar thjeshtëzimin në përdorimin e aparaturës, por edhe konsum më të pakët të baterisë.

Vetë kompania koreano-jugore thotë se telefonat me këtë sistem fiken e ndizen dy herë më shpejt se sa ata me sistemet Android dhe bateria zgjat dy herë më shumë.

Produkti synon masivizimin dhe ka dalë fillimisht në shitje në Indi për rreth 92 dollarë. Më herët Samsung kishte planifikuar hedhjen në treg në Rusi dhe Japoni, por ndryshoi strategji duke vlerësuar se tregu indian për shkak të dinamikës së tij është testuesi më i mirë për pajisjet e reja.

Me sistemin Tizen Samsung synon të shkëputet nga simbioza me Androidin e Google, të cilën e ka shfrytëzuar në maksimum duke u shndërruar në liderin e telefonave inteligjentë në tregun botëror.

Top Channel