Itali, Napolitano jep zyrtarisht dorëheqjen

14/01/2015 00:00

Presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano dha dorëheqjen pas gati nëntë vitesh në postin më të lartë të shtetit.

Prej kohësh flitej për një largim të tij për arsye moshe, më 29 qershor të këtij viti ai mbush 90 vjeç dhe mandatin e dytë e pranoi vetëm për të mos paralizuar jetën politike të vendit, që po kalonte një moment të vështirë.

Ai është i vetmi president në historinë e Republikës Italiane që ka qenë anëtar i Partisë Komuniste dhe i vetmi që është zgjedhur dy herë.

Napolitano qe presidenti i reformave me çdo kusht, i kujdesshëm në çdo detaj dhe kërkues me të gjithë. Njohës shumë i thellë i jetës politike italiane dhe i mekanizmave të saj, ai e pati bazuar rolin e tij në dy gurë themeltarë: refomat dhe uniteti i vendit.

Pas largimit të Giorgio Napolitano, i cili u tregua i çliruar që më në fund do të kthehet në shtëpi, vendin e tij e zë përkohësisht kryetari i Senatit Piero Grasso.

Më 28 janar duhet të fillojnë votimet për të zgjedhur pasardhësin e presidentit Napolitano. Në tre votimet e para duhen votat e dy të tretës së Parlamentit, ndërsa nga vota e katërt e tutje mjafton shumica aboslute, praktikisht 505 vota.

Ndërkohë, kryeministri Matteo Renzi, pasi ka falenderuar Napolitanon për punën e tij, ka bërë të ditur se do të përshpejtojë proçedurat në mënyrë që pasardhësi i tij të zgjidhet brenda muajit, raporton agjencia e lajmeve “ANSA”.

Top Channel