Kosovë, Trepça nuk do të privatizohet

14/01/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ia heq ndërmarrjen “Trepca” Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe e shndërron në ndërmarrje publike.

Kabineti i kryeministrit Mustafa i është përgjigjur kështu pozitivisht ftesës së komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, i cili një ditë më parë dha alarmin se nëse nuk miratohet ligji përkatës, atëherë gjiganti metalurgjik rrezikon të shkojë në likuidim, pra deri tek shitja dhe shpërndarja midis kreditorëve, shumica e të cilëve i takojnë periudhës së viteve ’90.

“Kuvendi e merr vendimin nëse për një veprim të tillë ekziston një itneres madhor publik, siç është rasti i Trepçës. Gjithashtu përcaktohet që ndërmarrja publike merr përsipër vetëm detyrimet ndaj palëve të treta, që i përcakton dhe një gjykatë apo organ kompetent”, deklaroi Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Në këtë mbledhje qeveria diskutoi për shkurtime buxhetore në vlerë 50 milionë euro, shumë kjo që shfrytëzohet për shtesat në paga të punonjësve publikë. Këtu përfshihen edhe shtesat në fondin e kuadrove. Përfitues të këtij fondi janë punonjësit që kanë bërë studime jashtë Kosovës.

“Kemi nxjerrë evidencën e plotë për shtesat që përfitojnë të gjitha organizatat buxhetore, kostoja e të cilave shkon në rreth 50 milionë euro. Aktualisht jemi duke hartuar ligjin për pagat e sektorit publik, që do të përfshijë edhe shërbyesit civilë, edhe ata politikë, të gjitha kategoritë. Por në këtë pikë duhet të vendosim disa rregulla sepse kategori të ndryshme marrin shtesa të ndryshme pa patur një emërtim”, deklaroi Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Në këtë pikë ministri i Financave hasi në kundërshtime të forta kryesisht nga ministrat që vijnë nga radhët e PDK-së. Kjo bëri që Mustafa të shtyjë marrjen e vendimit për një kohë tjetër.

Top Channel