PD: OSHEE në dorë të atyre që vjedhin

14/01/2015 00:00

Pas analizës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë ka reaguar
Partia Demokratike, e cila tha se kryeministrit Rama mban paradë
propagandistike për energjinë dhe nuk mban përgjegjësi, që ia besoi
drejtimin e sistemit pikërisht atyre që ishin vetë vjedhës të saj.

“Edi Rama zvarriti sot propagandën e tij boshe për energjinë dhe sulmoi sërish opozitën, por nuk mbajti asnjë përgjegjësi për korrupsionin galopant që ka instaluar në këtë sistem, me përvetësim deri në 7 milionë euro me një tender. Nuk mbajti asnjë përgjegjësi për faljen ose ndarjen e 600 milionë eurove me kompaninë CEZ, fatura të njohura. Nuk mbajti asnjë përgjegjësi për caktimin në krye të kësaj ndërmarrjeje të hajdutëve të pashembullt të energjisë, personave nën hetim për tendera, e deri te njerëz me precedentë penalë. Bën bilance e paradë Edi Rama, por nuk thotë asnjë fjalë, që e la gjysmën e vendit dhe gjysmën e qytetarëve në errësirë në netët e ndërrimit të vitit. Ka mbushur burgjet me fukarenj që s’kanë mundësi të paguajnë, e vetë ka vënë drejtorë debitorë deri në 38 milionë lekë, energji të papaguar”, tha Zana Guxholli, nga Departamenti i Energjise dhe Burimeve Natyrore ne PD.

Top Channel