Indi, 100 trupa të pajetë në lumin e shenjtë

14/01/2015 00:00

Mbi 100 trupa të pajetë janë gjetur në lumin Ganges, në veri të Indisë, duke nxitur autoritetet lokale që të urdhërojnë nisjen e një hetimi.

Raportohet se trupat u përkasin njerëzve, familjet e të cilëve i kanë hedhur në lum ose i kanë varrosur në brigjet e tij pasi nuk mund të përballonin çmimin e djegies së tyre.

Shumë indianë e konsiderojnë lumin Ganges të shenjtë dhe përdorin brigjet e tij për të bërë rite fetare.

Lumi, i gjatë 2.500 km, është ndotur së fundmi nga mbetjet industriale, pesticidet e fermerëve dhe ujëra të zeza që derdhen në të. Kryeministri Narendra Modi, menjëherë pas zgjedhjes në krye të shtetit, bëri thirrje për pastrimin e tij.

Trupat u gjetën fillimisht duke lundruar në afërsi të brigjeve ditën e martë, në rajonin Unao të shtetit Utar Pradesh. Banorët e një fshati i pikasën ata pasi kishin ngecur në breg dhe ishin rrethuar nga qentë dhe zogjtë në kërkim të ushqimit.

Më pas, më shumë trupa të tjerë u gjetën të mërkurën, me autoritetet që e çuan numrin në 104 njësi. “Mesa duket niveli i ujit të lumit është ulur dhe trupat kanë dalë në sipërfaqe”, deklaroi për agjencinë e lajmeve “AFP” prokurori Saumya Agarwal.

“Ne po përpiqemi të zbulojmë arsyen e pranisë së tyre në lum dhe kemi dërguar një grup mjekësh në vendin e ngjarjes për të mbledhur kampione nga trupat e të ndjerëve për të hetuar çështjen”, vijoi zyrtari.

Ndërsa korrespondentja e BBC në Nju Delhi thotë se trupa të pajetë mund të shihen shpesh në ujërat e lumit Ganges, por prania e një numri kaq të lartë është diçka e rrallë.

Shumë besimtarë hindu nuk kremtojnë vajzat e pamartuara dhe djemtë e rinj dhe shumë të varfër nuk mund ta përballojnë djegien e trupit të të ndjerëve, ndaj dhe pasi i veshin me një pelerinë të bardhë i hedhin në lumë, saktëson korrespondentja.

Top Channel