Reagimet ndaj karikaturave të “Charlie Hebdo”

14/01/2015 00:00

Mediat botërore reaguan me zemërim, shqetësim dhe solidaritet ndaj
publikimit të “numrit të të mbijetuarve” të revistës satirike franceze,
“Charlie Hebdo”, që u hap me një karikaturë të Profetit Muhamed dhe pushtoi Francën me miliona kopje këtë të mërkurë.

“Me numrin e ri të revistës, frikë e re lind”. Me këtë titull hap faqen e parë të saj “New York Times”, duke shprehur shqetësimin se ky veprim mund të shkaktojë sërish dhunë, në përmasa edhe më të mëdha se sulmet e Parisit.

Ndërkohë, në një editorial të hapur, shkrimtari turk, Mustafa Akyol i bën thirrje botës islamike që të rishikojë konceptin që ka për blasfeminë.

“Zemërimi nuk është gjë tjetër veçse një shenjë pamaturie. Fuqia e një feje nuk matet me forcën e kritikave dhe dhunës. Ajo buron prej integritetit moral dhe fuqisë intelektuale të besimtarëve të saj”, thotë ai.

Ndërkohë, “Yeni Akit”, e afërt me partinë në pushtet dhe qeverinë turke
hapet me një gjuhë të ashpër kundër “Charlie Hebdo” dhe Perëndimit në
përgjithësi.

“Pavarësisht ngjarjeve të ditëve të fundit, revista
arrogante Charlie Hebdo dhe pjesa tjetër e medias perëndimore, nxitur
nga zionistët vazhdojnë sulmet e tyre ndaj muslimanëve dhe gjithë botës
islamike”, shkruan ajo.

“Cumhuriyet”, gazeta e opozitës sekulare u
solidarizua me revistën “Charlie Hebdo” duke ribotuar katër faqe të
saj, po sërish pa karikaturën e Profetit Muhamed.

Ndërkohë, përtej Turqisë, në Lindjen e Mesme, mediat kanë qenë më të ashpra, përfshirë këtu edhe ato që konsiderohen si të moderuara.

“Charlie Hebdo vazhdon me provokimet”. Me këtë titull hapi faqen e parë “Al-Dustour”, gazeta më e madhe në Jordani.

Në Algjeri, në gazetën “Echourouk”, analisti vendas, Habib Rashdin kritikon qeverinë franceze për ndihmën që dha në publikimin e numrit të ri të “Charlie Hebdo”, që e quan “tejkalim të vijës së kuqe dhe një kryqëzatë e hapur kundër muslimanëve”.

Ai shkon edhe më tej kur thotë se ky botim i Charlie Hebdo “justifikon të drejtën e vendeve muslimane që të ngrenë akuza për fyerje të fesë ndaj ambasadorëve francezë”.

“Ne jemi të gjithë…Muhamed”, si kundërpërgjigje ndaj “Ne jemi Charlie”,  gazeta tjetër algjeriane, ‘Ennahar’ kundërshton vendimin e “Charlie Hebdo” për të publikuar karikaturat e Profetit Muhamed.

Në Iran reagimi ishte akoma më i ashpër. Televizioni shtetëror, IRINN i përshkruan karikaturat si një “akt provokativ”. Televizioni, që u kujdes të çensurojë imazhet e karikaturës duke transmetuar disa pjesë të saj, por pa Profetin Muhamed, paralajmëron se ky veprim do të nxisë akoma më shumë dhunë e urrejtje.

Top Channel