Paola dhe Denisa, femrat e vrara pas refuzimit

14/01/2015 00:00

Dy vajza krejt të panjohura me njëra-tjetrën, thuajse moshatare, por me të njëjtin fund tragjik. Ato mbetën të vrara nga meshkujt të cilët ishin të dashuruar pas tyre, deri në ekstrem, duke kaluar çdo kufi.

Ditët e para të këtij viti ishin të kobshme për 22-vjeçaren nga Kuçova, Denisa Demaj, dhe Paola Bishën, 21 vjeç, nga Vlora. Paola u qëllua për vdekje mesditën e 2 janarit nga djali me të cilin kish njohje, por që kishte refuzuar të kishte lidhje me të. Nga ngjarja mbeti i plagosur rëndë edhe kushëriri i Paolës.

Historia u përsërit me Denisën, e cila dy ditë më parë u vra nga mashkulli i dashuruar pas saj. Tashmë, vëllai i saj Edisoni lufton me vdekjen, pasi u plagos në tentativën për të mbrojtur motrën.   

Paola Bisha u qëllua për vdekje mesditën e 2 janarit në qytetin e saj, ku kishte ardhur për të kaluar festat e fundvitit me familjen. Ajo ka qenë duke dalë me të afërmit e saj nga një lokal në Vlorë, kur i është zënë pritë nga Ervis Lulushi, një djalë me të cilin kishte njohje të mëparshme. Refuzimi i Paolës për të pasur një lidhje me të shkaktoi tragjedinë e parë të këtij viti. Ervis Lulushi zbrazi disa plumba mbi trupin e vajzës që donte dhe la të plagosur kushëririn e saj, Gerti Arapi, ky i fundit në tentativën për ta mbrojtur. Gjatë deklaratës së dhënë në polici, autori i dyshuar i ngjarjes deklaroi se kishte hasur në refuzime të shpeshta nga Paola dhe nuk kishte mundur ta pranonte këtë fakt.

Denisa Demaj ishte në shtëpi mbrëmjen e së hënës, kur mori një telefonatë nga Klaus Sakolli, djali me të cilin kishte njohje të mëparshme. Kohët e fundit Klausi kërkonte të fejohej me të, lajm i cili jo vetëm nuk ishte pritur mirë nga familja, por ishte refuzuar me këmbëngulje. I armatosur, ai ka mbërritur në shtëpinë e Denisës dhe pas një konflikti ka qëlluar drejt saj, duke e lënë të vdekur në vend dhe ka plagosur rëndë Edisonin, vëllain e Denisës.

Këto nuk janë ngjarjet e vetme. Dy javë më parë, një 24-vjeçar plagosi të afërmit e të fejuarës pasi ata e kishin refuzuar kërkesën e tij që atë natë vajza të rrinte me të. Me breshëri kallashnikovi ai plagosi rëndë tre persona, mes tyre edhe motrën 10-vjeçare të të fejuarës.

Top Channel