Incident në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar

14/01/2015 00:00

Pjesëtarët e ekuipazhit në sektorin amerikan të Stacionit Hapësinor
Ndërkombëtar u evakuuan me shpejtësi pas një alarmi për rrjedhje
amoniaku në bord.

Pas verifikimit të situatës, Agjencia Hapësinore Amerikane, NASA doli me një deklaratë për shtyp ku tha se bëhej fjalë për një alarm fals. Ajo sqaron se me shumë mundësi ka qenë një problem teknik i sensorëve të sigurisë që kryejnë matjet e ajrit.

Agjencia ruse hapësinore deklaroi se për asnjë moment anëtarët e ekuipazhit nuk kanë qenë në rrezik për jetën e tyre.

Në njoftimin e palës ruse thuhet se ekspertët e kontrollit rusë dhe amerikanë vepruan me gjakftohtësi dhe me shpejtësi duke zhvendosur gjashtë anëtarët e ekuipazhit të gjithë stacionit në segmentin rus dhe duke izoluar segmentin amerikan.

Pjesëtarët e “Ekspeditës 42” që ndodhen aktualisht në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar janë dy astronautët e NASA-s Barry Wilmore dhe Terry Virts, astronatutët rusë, Elena Serova, Alexander Samoukutyaev dhe Anton Shkalperov dhe astronautja e Agjencisë Hapësinore Europiane, Samantha Cristoforetti.

Top Channel