Vetëvendosje kritikon vizitën e Vuçiç, akuza Thaçit e Mustafës

14/01/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar me tone të ashpra ndaj vizitës së kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç në Kosovë, duke thënë se përveçse nuk kërkoi leje, akuzoi shqiptarët se nuk lejojnë serbët të jetojnë në Kosovë.

“Sot, Aleksandar Vuçiç, ish-zyrtar i Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshel, ish-ministër për Informimin i qeverisë së Milosheviçit dhe kryeministër aktual i Serbisë, erdhi në Kosovë. Ai nuk mori leje nga askush, por mori gjysmën e kabinetit të tij me vete dhe në mes të Kosovës tha se: “Këtu është djepi jonë dhe askush nuk mund të na ndalojë që edhe tutje fëmijët tanë të lindin këtu”, duke aluduar që këtë ua ndalojnë shqiptarët”, thuhet në një deklaratë për shtyp të VV.

Sipas Vetëvendosjes, vizita e Vuçiç në Kosovë është vetëm simbolika e mosnjohjes së saj nga Serbia dhe luftës së saj të pandalur për gjymtimin e Kosovës si shtet.

Partia opozitare e Kosovës shton më tej se, Vuçiç vjen si vizitor në lokalitetin e Pasjanit, ndërkohë që qeveria e tij nuk lejon gërmimet në varrezën e Rashkës, ku ndodhen trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Ajo akuzon edhe liderët kosovarë, Thaçi e Mustafa, se me marrëveshjen me Listën Serbe rritën ndikimin e Beogradit në vendimmarrjen në Prishtinë.

“Pas 9 dhjetorit 2014, me marrëveshjen Mustafa-Thaçi-Jabllanoviç për një “Qeveri të Rashkës”, Vuçiç është bërë faktor vendimmarrës brenda Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Top Channel