Djemtë dhunohen fizikisht më shumë se vajzat. Ndërsa ushtruesit më të shpeshtë të dhunës fizike në shtëpi janë nënat e ata më të ashpër, baballarët. Këto janë dy nga gjetjet e raportit të sapopërfunduar të Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë, i cili pasqyron situatën aktuale mbi fomat e dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve nga vetë ata.

Sipas raportit, vënia në përdorim e shpullave, çokut, grushtit, shqelmit apo dhe sendeve për të ndëshkuar fëmijën është një tregues i karakterit të dhunës fizike në shtëpi dhe i ashpërsisë me të cilën ajo vazhdon të shfaqet.

Ndërkohë që djemtë dhunohen më shumë fizikisht, konkretisht 52%, vajzat përbëjnë numrin më të madh të rasteve që i referohen abuzimit emocional, rreth 60%. Kërcënimet me fjalë, përdorimi i nofkave, të bërtiturat, mbajtja e mërisë, por edhe kërcënimi me braktisje apo me mallkim janë format më të përdorura të abuzimit emocional në familje.

Gjithashtu, fëmijët raportojnë se të shpeshta janë dhe zënkat dhe ofendimet mes vëllezërve e motrave.

Nga të dhënat e marra në sherbimin “Alo 116”, fëmijët raportojnë se mësuesit në shkolla vazhdojnë ta përdorin dhunën fizike si një mjet disiplinimi në orët mësimore. Nga ana tjetër, janë të shpeshta dhe rastet kur fëmijët përdorin dhunën edhe për të zgjidhur situatat konfliktuale mes tyre.

Ndërsa format më të përhapura të dhunës psikologjike në shkollë nga mësuesit janë të bërtiturat, ofendimet dhe shpeshherë përdorimi i epiteteve si “i mefshtë”, “toç”, “i fjetur” etj.

Raporti ka dhe të dhëna për abuzimin seksual ku 38% e ushtruesve të dhunës janë të afërmit dhe bashkëmoshatarët, përkatësisht me 38 dhe 37%. Ai pasqyron situatën e 6 viteve të fundit sipas raportimeve në “Alo 116” nga vetë fëmijët, por edhe të rritur.
 

Top Channel