Donald Lu takon kryeparlamentarin Meta

14/01/2015 00:00

Një ditë pas dorëzimit të letrave kredenciale në Presidencë dhe marrjes edhe zyrtarisht të detyrës si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu takohet me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Tiranë thuhet se “gjatë takimit ata pohuan miqësinë e gjatë dhe historike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe mundësitë për thellimin e kësaj marrëdhënieje”.

 Ambasadori përçoi vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen që Shqipëria ka dhënë si një aleate e NATO-s, kontributin e rëndësishëm në misionet në Afganistan dhe ndihmesën në luftën ndaj ISIS dhe terrorizmit.

“Ambasadori pret me interes nisjen e seancave Parlamentare për këtë vit dhe përkrah dialogun dhe bashkëpunimin midis shumicës qeverisëse dhe opozitës gjatë zbatimit të rezolutës së 24 dhjetorit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Top Channel