Armët e atentateve u blenë në Belgjikë, dorëzohet shitësi

14/01/2015 00:00

Vinin nga Belgjika armët e përdorura në atentatet e javës së kaluar në Paris. Konfirmimi ka ardhur nga vetë personi që ia ka shitur ato atentatorit Amedy Coulibaly.

Sipas mediave belge, trafikanti, figurë e njohur në ambjentet e krimit në Bruksel, u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e së martës.

Agjentët gjatë kontrollit në banesën e tij kanë gjetur disa dokumenta që e lidhin me një transaksion të bërë me Coulibaly, terroristi që sulmoi dyqanin hebraik në kryeqytetin francez.

Sipas gazetës “Libre Belqique”, rezulton se trafikanti i ka shitur terroristit automatikun tip “Scorpion”, që u përdor nga vetë ai në sulmin e dytë, si dhe granatahedhësin “RPG” dhe Kallashnikovët e përdorur nga vëllezërit Kouachi në sulmin ndaj redaksisë së satirikes “Charlie Hebdo”.

Sipas burimeve mediatike, dorëzimi i armëve është bërë dorë më dorë në afërsi të stacionit hekurudhor Midi në Bruksel, për më pak se 5 mijë euro.

Shitësi i tyre, i njohur për policinë për trafiqe të vogla, u paraqit personalisht në selinë e policisë federale në Charleroi, në jug të kryeqytetit belg, duke deklaruar se kishte qenë kontakti i terroristit, i cili donte të siguronte edhe një makinë.

Personi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka deklaruar për hetuesit belgë se kur kishte shitur armët nuk kishte qenë në dijeni të qëllimeve të Coulibaly.

Policia në shtëpinë e tij ka gjetur dokumenta që lidhen me shitjen e makinës dhe të tjera mbi transaksionet e armëve dhe municioneve, mes të cilave pistoleta “Tokarev 7.62” e përdorur në sulmin ndaj dyqanit hebraik në Paris.

Top Channel