Peshëngritje, edhe Pulaku pozitiv në testin B

14/01/2015 00:00

Pas Romela Begajt, edhe Hysen Pulaku del pozitiv në testin B antidoping të kryer një ditë më parë në Këln të Gjermanisë.

Burime të sigurta të Top Channel bëjnë me dije se edhe prova e dytë ka vulosur faktin se 22-vjeçari ka përdorur stanozolol, substancën me të cilen Pulaku u kap në Lojërat Olimpike Londër 2012.

Peshëngritësi nga Elbasani u rendit i 10 në Botërorin e Kazakistanit dhe disa muaj më vonë u shpall kampion Europe për të rinj në stilin e shtytjes në peshën 85 kg.

Pulaku iu nënshtrua testit antidoping në botërorin ku Daniel Godelli dhe Romela Begaj u shpallën kampionë bote dhe jo në Qipro, ku u zhvillua europiani.

Në Lojërat Olimpike Londër, 2012, 22-vjeçari i cili rezultoi pozitiv në testin antidoping u pezullua për 2 vjet, ndërkohë që rasti i përsëritur për një kohë të shkurtër mund ta penalizojë akoma më shumë, duke rrezikuar një përjashtim nga 4 vjet deri përgjithmonë nga çdo aktivitet ndërkombëtar.

Ndërkohë të enjten do të jetë Daniel Godelli i cili do të dalë para Komisionit dhe do të mësojë përgjigjjen e testit B antidoping. Nëse edhe Godelli rezulton pozitiv, atëherë Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon një gjobë prej rreth 100 mijë eurosh dhe një përjashtim nga 1 deri në 2 vjet nga çdo aktivitet ndërkombëtar.

Top Channel