Biznesi-doganave: Të hiqen çmimet e referencës

14/01/2015 00:00

Përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë i kërkuan edhe një herë qeverisë të heqë çmimet e referencës për shtete me të cilat faturat janë lehtësisht të verifikueshme, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja apo vendet e Bashkimit Europian.

“Do sugjeroja që për një invoice të lëshuar nga kompanitë amerikane të mos ketë asnjë lloj mendimi se, ‘këtu ka diçka, duhet ndërhyrë dhe duhet çuar në referencë’. Është kohë e humbur dhe një ndëshkim i padrejtë”, deklaroi biznesmeni Trifon Murataj.

“Nëse ne do t’i hiqnim sot tërësisht, atëherë do kishte probleme me fatura të paverifikueshme nga vende që nuk lejojnë shkëmbimin e informacionit. Por ka vende për të cilat ne kemi prioritet zerimin e përdorimit të metodave të vlerësimit apo referencave, si për SHBA apo të BE-së”, deklaroi nga ana tjetër drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali.

Drejtoresha e Doganave tha se për të ndihmuar investimet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë është rritur numri i makinerive e pajisjeve të përjashtuara nga TVSH-ja.

“Për vitin 2013, vlera e përjashtimit nga TVSH-ja e makinerive dhe pajisjeve është rreth 968.8 milionë lekë. Ndërsa për 2014 është 2.2 miliardë lekë, ose 22 milionë dollarë”, saktësoi Spiropali.

Referuar shqetësimit të bizneseve mbi akcizën e rimbursueshme, Spiropali tha se janë likuiduar të gjitha rastet e paraqitura pranë doganës shqiptare.

Top Channel