Tahiri-Alfano: Ballkani, jo strehë për luftëtarët e huaj

14/01/2015 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka bërë thirrje nga Tirana, pas një takimi me homologun e tij italian Angelino Alfano, që në Forumin e Ministrave të Brendshëm të BE-së të jenë pjesë edhe ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor.

“Propozimi i parë është për të përfshirë në mbledhjen e minsitrave të Brendshëm të vendeve të BE-së edhe ministrat e Brendshëm të rajonit, duke konsideruar që kjo është mënyra më e mirë për të adresuar bashkarisht luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Ndërsa propozimi i dytë është për të përfshirë Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit në shkëmbimin e informacionit, në mënyrë që ai të jetë sa më i saktë dhe adresimi i problematikës sa më i plotë”, deklaroi Tahiri.

Nga ana e tij, Alfano tha se do t’i drejtohet Presidencës Lituaneze për të përfshirë në bashkëpunimin në luftën ndaj terrorizmit edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për ministrin e Brendshëm italian, rajoni i Ballkanit nuk duhet të konsiderohet nga luftëtarët e huaj si një strehë për t’u stërvitur për të luftuar në Siri.

“Sigurisht që kjo pjesë e botës mund të konsiderohet nga luftëtarët e huaj, nga terroristët si një pjesë që ata mund ta përshkojnë për t’u drejtuar më pas në arena të ndryshme luftimi, pikërisht në këto luftëra me karakter terrorist dhe fetar. Sigurisht, kjo pjesë e botës mund të konsiderohet si një strehë ku mund të ushtrohen dhe mund të stërviten pikërisht këta luftëtarë të huaj, të cilët shkojnë për të luftuar në zonat e konfliktit apo në Siri. Për Europën, kjo pjesë përbën një zonë strategjike që ne të luftojmë së bashku dhe të forcojmë bashkëpunimin në luftën ndaj këtij fenomeni, sikundër është lufta e ndërmarrë nga terroristët”, deklaroi Alfano.

Më vonë Alfano u prit në një takim nga kryeministri Rama, me të cilin vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit në luftën ndaj terrorizmit. Sipas një njoftimi për shtyp nga selia e Kryeministrisë, Rama ka përshëndetur ngritjen e task forcës së përbashkët Shqipëri-Itali, ndërsa ka biseduar me ministrin italian edhe për luftën kundër krimit të organizuar.

Top Channel