FSHZH: Gjelbërimi i Surrelit, projekt kombëtar

14/01/2015 00:00

Lidhur me akuzat e PD ndaj kryeministrit sa i takon gjelbërimit të rrugës që çon në shtëpinë e tij ka reaguar edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Përmes një komunikate FSHZH ka saktësuar se, projekti për rehabilitimin dhe gjelbërimin e pjesëve anësore të segmentit rrugor Tiranë-Dajt është një projekt që po zbatohet në kuadër të një programi të gjerë të qeverisë shqiptare për gjelbërimin e akseve kombëtare.

“Ky program, një pjesë e të cilit po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, ka filluar nga puna në akset rrugore Plepa-Vlorë, mbikalimi i Kasharit-Tiranë dhe do të vazhdojë këtë vit në segmentet rrugore  Levan-Kakavijë, Lushnjë-Berat dhe Lin-Pogradec”, thuhet në komunikatë.

Në të nënvizohet se falë projektit në fjalë të segmentit rrugor Tiranë-Dajt do të përfundojë me sukses lidhja funksionale mes kryeqytetit dhe parkut kombëtar Dajt, duke e bërë këtë të fundit të aksesueshëm për qytetarët, por edhe duke lehtësuar ndërlidhjen rrugore për komunën e Dajtit, Shëngjergjit dhe Zallbastarit.

“Ndonëse faza e parë e këtij projekti që lidh kryeqytetin me Surrelin ka përfunduar në vitin 2012, FSHZH e vlerësoi të arsyeshëm këtë sqarim publik duke e konsideruar pretendimet e sotme në media si të pambështetura mbi të vërtetën e projektit”, përfundon komunikata.

Top Channel