Çfarë ndodh pas sulmeve në Francë?

15/01/2015 00:00

E ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Odeta Barbullushi, e emëruar prej dy javësh si numri 2 në diplomacinë shqiptare, foli në lidhje me zhvillimet që pasuan aktet terroristë të javës së kaluar në Paris.

Pandi Gjata: Cili është realiteti i ri pas ngjarjeve të Parisit në Europë dhe më gjerë?

Odeta Barbullushi: Terrorizmi nuk është një sfidë e re, ka më shumë se një dekadë që bota është para kësaj sfide, por Shteti Islamik e ka përballur botën me një sfidë të re, shpërthimi i ditëve të fundit në Paris e reflekton sesa serioz është ky rrezik. Terrorizmi hyn në ato rreziqe që mund të quhen asimetrike, pasi nuk mjaftojnë vetëm politikat e shteteve për ta luftuar atë, por duhet një sinkronizim mes shumë shteteve dhe nisma ndërkombëtare që ta parandalojnë.

Pandi Gjata: Cili është pozicioni i Shqipërisë në këtë realitet të ri?

Odeta Barbullushi: Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa shumë pozitive. Po ashtu si edhe vendet e tjera të rajoni edhe ne jemi të rrezikuar nga terrorizmi dhe fundamentalizmi. Në tetor të vitit 2013 është miratuar ligji për masat kundër financimit të terrorizmit, gjithashtu ka edhe nisma të tjera. Shqipëria ka qenë gjithmonë në sinkronizmin edhe me aleatët që janë pjesë e aleancës kundër Shtetit Islamik.

Pandi Gjata: I referohemi takimit të dy ditëve më parë mes ministrave të Jashtëm, zotit Bushati dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi. Pas gjithë këtyre ngjarjeve u fol për një bashkëpunim dhe një koordinim të mëtejshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë për luftën ndaj terrorizmit, por edhe për masa të tjera. Si do të jetë ky koordinim me Prishtinën?

Odeta Barbullushi: Bashkëpunimi me Kosovën në luftën ndaj terrorizmit ka nisur që prej vitit 2013, duke e ngritur deri në nivelin e partneritetit strategjik. Shqipëria ka luajtur një rol kryesor në përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale. Shqipëria dhe Kosova nuk janë të vetmet të ekspozuara ndaj këtij problemi, kjo sfidë është rajonale. Problematika e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet parë në rang rajonal. Po shihet mundësia e bashkëpunimit në ndarjen e të dhënave elektronike. Shqipëria dhe Kosova kanë qenë të parat që janë rreshtuar përkrah aleatëve në rajon.

Pandi Gjata: Kemi një realitet të ri për Europën, por edhe për botën, i referohemi deklaratës së dy ditëve më parë të Kryeministrit italian, i cili duke aktualizuar zhvillimet pas ngjarjeve në Paris, foli për domosdoshmërinë e vijimit të procesit të integrimit të tre vendeve të rajonit, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi. Por zoti Renzi është një zë i vetëm, a mendoni se në këtë situatë të re duhet të jetë e gjithë Europa e sinkronizuar për sa i përket zgjerimit me këto tre vende?

Odeta Barbullushi: Deklarata e zotit Renzi ishte shumë pozitive, por unë nuk do të thosha që është një zë i vetmuar. Sfida e terrorizmit është një arsye më shumë që Europa të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit. Integrimi i këtyre shteteve është instrumenti më i fortë që ka BE-ja.

Pandi Gjata: A mendoni se mund të ketë ndryshim axhende në prioritetet e BE-së nisur nga ngjarjet e fundit?

Odeta Barbullushi:
Nuk mendoj se do të ketë një ndryshim radikal. Ato prioritete që janë në lidhje me rajonin do t’i mëshohet më shumë. Sigurisht që një front i ri është lufta ndaj terrorizmit, por aspekti ekonomik dhe prioritetet që lidhen me zhvillimin e këtyre vendeve, me shtetin ligjor, përmirësimin e infrastrukturës, nuk do të shmangen.

Pandi Gjata: Përballë me terrorizmin, në luftë me terrorizmin, por dhe me integrimin, sa mund të ndikojë ai prezantim që pati Shqipëria në Paris në manifestimin e të dielës së kaluar?

Odeta Barbullushi:
Ai prezantim dërgoi një mesazh shumë të fortë në Europë dhe perceptimet luajnë një rol shumë të rëndësishëm në politik. Ai marshim tregoi një Shqipëri ndryshe dhe sfidon disa nga perceptimet negative që ka në lidhje me shqiptarët.

Top Channel