Politika nuk dekriminalizohet pa drejtësi për “21 janarin”

15/01/2015 00:00

ANDREA STEFANI – E mbetur pa një kauzë reale opozita berishiste ka
gjetur si pretekst një rrahje banale mes deputetësh në Parlament për të
fryrë, kinse një strategji shpëtimi për shtetin, flluskën e
dekriminalizimit të Kuvendit.

Gjithsesi, nëse ky truk i opozitës do të shërbente për të spastruar Parlamentin nga ca “kuaj troje” të botës së krimit (që habitesh pse opozita i zbulon vetëm sot e jo kohë më parë) nuk ka pse të mos jetë i mirëpritur. Por nuk entuziazmohesh dot, ngaqë nuk mund të mos kuptosh se thirrjet për dekriminalizimin janë kallpe kur shikon se opozita këmbëngul të harrohet një nga krimet më të shëmtuara të këtyre dy dekadave, maskara e 21 janarit. Madje po sillet sikur kjo masakër, të mos ketë ndodhur fare.

Kjo shpjegon se përse politikanë të dyshuar si kryepërgjegjës për këtë masakër, Berisha dhe Basha mbi të tjerë, kanë kurajë sot të dalin me flamurin e dekriminalizimit të politikës. Hipokrizia na shfaqet me të gjithë lakuriqësinë e vet. Se si mund ta quash ndryshe, kur opozita gjëmon për një shpullë të Strazimirit në Kuvend, ndërsa hesht si fija e barit, për një nga kryekrimet e tranzicionit si masakra e 21 janarit?!

***

Është aksiomatike: politikën nuk mund ta dekriminalizojnë politikanë të inkriminuar. Dhe nuk është fjala vetëm për politikanë që i kanë zhyer duart me para të pista e lloj-lloj përfitimesh të paligjshme. Është fjala për ca që mund t’i kenë duart të zhyera me gjak qytetarësh të pafajshëm. Ndaj para se t’ia nisin dekriminalizimit, politikanët e të gjitha ngjyrave, duhet të provojnë se nuk janë vetë të inkriminuar. Në radhë të parë kryepolitikanë si Berisha dhe Basha që kanë dalë me flamurin e dekriminalizimit. Nuk ka asnjë tendencë në këtë kërkesë. Të dy këta politikanë, jo vetëm ndodheshin në majë të qeverisjes, por edhe në dritaret Kryeministrisë kur u derdh gjaku i protestuesve. Ata kanë barrën të provojnë, me fakte, se nuk janë fajtorë për këtë krim, dhe se faji për të qëndron diku tjetër apo te dikush tjetër. Për shembull fajin mund ta ketë ish-kreu i opozitës së djeshme, Edi Rama, të cilin Berisha e akuzoi për organizmin e një puçi. Nëse vërtet ka ndodhur kështu, atëherë as Berisha dhe as Basha nuk kanë faj, pra nuk janë kriminelë. Sepse vrasja me fishekë luftarakë nga një qeveri, legjitimohet vetëm kur dikush tenton të marrë me dhunë, pra kriminalisht, pushtetin. Por kush do jenë kriminelët në një rast të tillë hipotetik? Në radhë të parë Edi Rama apo organizatorë të tjerë të protestës si, për shembull, Preç Zogaj apo Spartak Ngjela. Por puçistë dhe kriminelë i bie të jenë edhe martirët e vrarë Aleksi, Ziveri, Faiku dhe Hekurani. Vetëm po të kishte ndodhur kështu.

***

Por e keqja është se Berisha i ka “harruar” fare akuzat që ka bërë kundër Ramës dhe nuk po kujtohet më as për “Puçin”. Një gjë fort e habitshme veçanërisht tani që po bërtet kaq shumë për dekriminalizimin e politikës. Sepse nëse Edi Rama e të tjerë kanë kryer një puç më 21 janar, si mund të pranohet që të jenë deputetë në Kuvend dhe të drejtojnë deri edhe ekzekutivin?! Të tolerosh një gjë të tillë do të thotë të kriminalizosh dhe jo të dekriminalizosh politikën. Prandaj edhe fushata e çiftit Berisha-Basha, na shfaqet si kulmi i hipokrizisë dhe i mashtrimit. Gjithkush që kërkon me të vërtetë dekriminalizimin e politikës duhet të nisë me kryekrimin më të fundit të politikës, masakrën e 21 janarit. Ajo masakër nuk mund të fshihet nga analet e politikës dhe të historisë me atë lehtësi që u fshinë mafiozisht imazhet e saj (dhe kushedi se edhe çfarë tjetër komprometuese për ata që i fshinë) nga hard-disqet e kompjuterëve të Kryeministrisë. Prandaj e përsërisim që të ketë dekriminalizim të vërtetë të politikës duhet filluar nga koka e saj, nga Berisha, Basha nga njëri kamp dhe Rama nga kampi tjetër. Njëra nga palët duhet të përgjigjet për këtë krim. Rrugë të mesme nuk ka. O Rama ka bërë krimin e grushtit të shtetit dhe çifti Berisha-Basha janë te pafajshëm dhe kanë të drejtë të udhëheqin dekriminalizmin, ose Rama nuk ka bërë puç dhe Berisha e Basha janë kriminelë me largimin e të cilëve drejt burgut, duhet të nisë edhe dekriminalizimi. Vetëm pas kësaj ky i fundit nuk do të jetë më një farsë, hipokrizi dhe mashtrim i politikanëve të kriminalizuar!

Top Channel