23-vjetori i FRESSH, Rama: Fitore në zgjedhjet lokale dhe në 2017

15/01/2015 00:00

Me mijëra të rinj nga e gjithë Shqipëria mbushën Pallatin e Kongreseve
për të kremtuar ditëlindjen e 23-të të FRESSH, një organ  rëndësishëm i
Partisë Socialiste.

Ilir Meta, sot kryetar i Kuvendit, i cili e nisi karrierën e tij politike nga ky forum, si kryetar i FRESSH, thotë se kjo është organizatë unike në Europën Lindore, e cila solli modernizimin përmes një kulture demokratike në PS.

“23-vjetori i krijimit të FRESSH-it është një moment historik, sepse na kthen 23 vjet pas për të kujtuar rëndësinë historike të themelimit të kësaj organizate mjaft frymëzuese për pjesëmarrjen e të rinjve në politikë, në një moment mjaft delikat, por edhe për të gjitha vlerat që ajo solli në jetën politike shqiptare. Unë në veçanti do të theksoja atë të bashkëjetesës brenda një force politike edhe përmes pasqyrimit të mendimeve dhe alternativave të ndryshme, bashkëjetesës në përgjithësi në jetën politike të vendit”, tha Meta.

Ja si e kujton FRESSH-in e 23 viteve më parë, Pandeli Majko, i cili më pas pati postin e Kryeministrit të vendit.

“Eshtë një ëndërr që vazhdon. Pa ëndrrën ne do të ishim kot dhe FRESSH, edhe atëherë para 23 viteve edhe sot, është një ëndërr e së majtës, që do të vazhdojë ta thotë fjalën e vet. Sot mund të duken si të vegjël, sikur nuk i kuptojnë mirë gjërat, por këta janë e ardhmja”, thotë Majko.

Nga ky kremtim i 23-vjetorit të FRESSH, që kishte si moto “Fuqia e 1 milion të rinjve”, Kryeministri Edi Rama, njëherazi kreu i Partisë Socialiste ndezi motorrët elektoral, të zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit duke bërë këtë premtim: “Këto do të jenë zgjedhjet e para në Shqipëri, ku asnjë mësues, apo rrogëtar i shtetit nuk do të lejohet të marrë pjesë me zor në miting. Asnjë klasë e vetme gjimnazi nuk do të trajtohet si kope delesh, që të duhet të dëgjojë me zor fyejt e politikës. Asnjë shkollë në Republikë nuk do të lerë asnjë minutë mësimi për të mbushur sheshin e betejës elektorale”.

Protagonistët e këtyre zgjedhjeve, – tha Rama, – nuk do të jenë politikanët por të rinjtë.

“Së bashku me ju të gjithë, kemi detyrën e bukur dhe shumë të vështirë, jo të fitojmë zgjedhjet e ardhshme vendore, por të rilindim komunitetin, shpirtin e komunitetit, frymën e komunitetit, solidaritetin dhe disiplinën komunitare, sepse zgjedhjet e ardhshme vendore nuk janë beteja e radhës, e kundërshtarit që mundëm në 23 qershor, me të cilin do të përballemi sërish dhe do ta mundim sërish në 2017, por janë stacioni i radhës në rrugën tonë të Rilindjes Shqiptare”, tha Rama.

Olta Xhaçka, kryetare e Forumit të Gruas Socialiste tha se ‘të rinjtë nuk duhet të jenë kalorës të vetmuar në aspiratat e tyre dhe se detyra politikanëvë është të krijojnë kushtet për një të ardhme të suksesshme’.

“Ne jemi këtu për të hapur derën për të krijuar kushtet dhe për të ndarë sfidat, ndërsa ju keni përgjegjësinë për ta animuar politikën, me të gjithë fantazinë e ëndrrave tuaja. Ishte më e vështirë për ne, me e lehtë për ju dhe akoma më e lehtë për ata që do të vijnë pas jush, kjo falë asaj force modernizuese që na bën bashkë dhe e ka emrin Partia Socialiste”, tha Xhaçka.

Top Channel