“Jam zhveshur e gjitha për të vërtetuar që nuk jam mashkull”

15/01/2015 00:00

Një futbolliste profesioniste nga Guinea Ekuatoriale ka treguar se është detyruar të zhvishet krejtësisht nudo para disa zyrtarëve të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF) për të vërtetuar se nuk është mashkull.

27-vjeçarja Genoveva Anonma fitoi Kampionatin Afrikan për Femra për herë të parë me kombëtaren e saj dhe menjëherë pas këtij suksesi, lindën dyshime për gjininë e lojtares që spikati në këtë turne.

“Më kërkuan të hiqja të gjitha rrobat. Isha shumë e mërzitur dhe vetëm qaja. Isha e turpëruar nga ajo që po ndodhte, por e kam kaluar tashmë”, tha Genoveva për BBC.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2008, por edhe pse 27-vjeçarja e kaloi testin, në vitin 2011 sërish ajo u akuzua se ishte mashkull nga koleget e saj të Nigerisë, Afrikës së Jugut dhe Ganës.

“Mjafton të përplasesh fizikisht me të në fushë për të kuptuar që është burrë”, pati deklaruar Diana Amkomah, mbrojtësja e Ganës.

Edhe pse Genoveva Anonma ka qenë e disponueshme për teste të tjera mjekësore për të vërtetuar që është femër, zyrtarët e CAF-it nuk ia kanë kërkuar kurrë një gjë të tillë.

“Shpresoja gjithmonë të më bënin teste për të mbyllur gojën e atyre që dyshonin, por nuk më kanë thërritur kurrë. E kam mbrojtur e vetme veten”, thotë Genoveva.

Top Channel