BB: Ekonomia shqiptare u rrit me 2.1% gjate vitit 2014

15/01/2015 00:00

Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare u rrit me 2.1 për qind në
vitin 2014. Në raportin e fundit mbi prespektivën e ekonomisë globale,
Banka vlerëson se ekonomia shqiptare ka mundur të arrijë objektivin e
rritjes pavarësisht përkeqësimit të situatës në Eurozonë dhe në rang
global.

Madje sipas ekspertëve të saj, ritmet e ekonomisë do të përshpejtohen në 3 për qind këtë vit dhe në 4 për qind vitin e ardhshëm.
 
Të dy institucionet më autoritare në fushën e ekonomisë, si FMN ashtu Banka Boterore i kanë mbajtur të pandryshuara vlerësimet për ekonominë shqiptare, pavarësisht zhvillimeve të fundit negative në Eurozonë, por jo vetëm.

Në rang global, Banka i korrigjoi në ulje vlerësimet për rritjen ekonomike. Sipas saj këtë vit prodhimi global do rritet me 3 për qind nga 3.4% që ishte vlerësuar në qershor, ndërkohë që parashikimet janë korrigjuar në ulje edhe për vitin e ardhshëm.

Sipas raportit, ekonomia globale tashmë po punon vetëm me një motor që është ai i ekonomisë amerikane. Ndërkohë që në rajonet e tjera situata ekonomike është më e zymte. Më e prekura është Eurozona, ku vlerësimi për rritjen ekonomike në 2015 u korrigjua fort në ulje nga 1.8 në 1.1 për qind. Madje raporti paralajmëron se Europa mund të përballet me një periudhë të gjatë inflacioni të ulët dhe rritje të ndrydhur ekonomike.   

Top Channel