BB, 44 milionë euro kredi Kosovës

15/01/2015 00:00

Banka Botërore i jep kredi qeverisë së Kosovës me vlerë 44 milionë euro për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe krijimin e kushteve për energji të ripërtëritshme.

Norma e interesit që do të paguajë shteti është 1.25%, në një periudhë kohore prej 25 vitesh. Sipas zyrtarëve kosovarë, kushtet e marrëveshjes janë të favorshme.

Marrëveshja për këtë kredi u nënshkrua të enjten nga drejtoresha e Bankës Botërore për Europën juglidonre, Ellen Goldstein dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

“Në Kosovë e dimë që nuk ka mjaft furnizim modern me energji. Ekonomitë familjare përdorin linjat dhe drutë për zjarr. Të dyja janë jo efikase dhe aspak të shëndetshme për popullatën dhe kjo nuk ndodh vetëm nëpër shtëpitë e familjeve, por edhe në shkolla e spitale. Prandaj, ky projekt nënkupton lëvizjen drejt sistemeve që ofrojnë energji më moderne, efikase, të shëndetshme dhe më të lirë në ndërtesa publike, duke përfshirë shkollat dhe klinikat që kanë ndikim tek qytetarët kosovarë”, deklaroi Goldstein.

Për qeverinë e Kosovës, shëndetësia dhe energjitika janë prioritete që kërkojnë angazhim të shtuar.

“Kushtet e marrëveshjes janë shumë të mirë, më të mira se ato të emetimeve të letrave me vlerë apo hua të tjera ndërkombëtare. Kredia është për 25 vite, për 20 prej të cilave norma e interesit do të jetë 1.25 për qind, që është shumë e favorshme për të financuar projektet. Shuma është 19.95 milionë euro për shëndetësinë dhe 24.3 milionë euro për efiçencën e energjisë”, tha nga ana tjetër ministri Hoti.

Fondet e kredisë shpërndahen në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Zhvillimit Ekonomik. Në një njoftim për media nga kjo e fundit thuhet se kjo ministri tashmë do të ketë edhe 31 milionë dollarë shtesë në përkrahje të arritjes së objektivave për efiçiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme, të përcaktuara nga qeveria.

Top Channel