Shtohen sallat e operacionit dhe aparatura të reja në “Mbretëresha Geraldinë”

15/01/2015 00:00

Shtohen sallat e ndërhyrjeve kirurgjikale me aparatura bashkëkohore si dhe 6 inkubatorë të rinj për foshnjat e sapolindura në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj inspektoi nga afër investimin e kryer, çka do të rrisë shërbimin shëndetësor ndaj nënave dhe bebeve.

“Kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kapaciteteve që ka ky maternitet. Në radhë të parë, padyshim, për t’u shërbyer më mirë, më me cilësi dhe më shpejt, qoftë nënave të reja, qoftë bebeve që lindin këtu, por sigurisht për të mundësuar edhe që mjekët e infermierët të mund të kenë rezultate sa më të mira në punën e tyre, sepse në mjekësinë e sotme aparaturat, ekzaminimet dhe kushtet e punës janë shumë të rëndësishme. Parametrat tregojnë që kemi ulje të lindjeve të parakohshme, ulje të lindjeve me operacion dhe ulje shumë të ndjeshme të parametrave të vdekshmërisë foshnjore”, u shpreh ministri Ilir Beqaj.

Kirurgët vlerësojnë këtë investim, pasi sipas tyre aftësia e kirurgëve gjinekologë me aparaturat e reja ka bërë që të redukohen ndjeshëm komplikacionet post-operatore.

“Ka qenë ëndërr për ne që të kishim kushtet optimale që kërkon një sallë operacioni, sepse një kirurg nuk ka vetëm duart e tij por edhe pajisjet e operimit së bashku me sallën e operacionit ku punon. Edhe materialet mjekësore në sallat e operacionit nuk mungojnë, duke plotësuar kështu kërkesat që kemi ne”, u shpreh Nikita Manoku, shef i Shërbimit Obstetrik-Gjinekologjik.

Ndërsa drejtori i maternitetit u shpreh se ky investim do të ketë impakt të drejtpërdrejtë te pacientët, jo vetëm përsa i përket cilësisë së shërbimit, por dhe zvogëlimit të kohëpritjes.

“Së pari këtu kryhen ndërhyrje kirurgjikale nga e gjithë Shqipëria dhe nuk përfshihet vetëm Tirana, ndaj dhe për këtë ka pasur një listë pritjeje, e cila është shkurtuar së tepërmi. Nuk është e nevojshme të presësh më dy apo 3 muaj, por brenda muajit mund të kryhet çdo lloj ndërhyrjeje”, deklaroi Blenard Nonaj, drejtor i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, sipas mjekëve, konkurron denjësisht me klinikat private për shërbimin shëndetësor cilësor që ofrohet, si dhe kushtet në të.

Top Channel