Gjykata Speciale, Jahjaga thërret krerët e institucioneve

15/01/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti paraditen e së enjtes në një takim të përbashkët krerët e institucioneve të vendit, për të bashkërenduar veprimet dhe detyrimet institucionale e ligjore për krijimin e Gjykatës Speciale.

Në takim ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Gjatë bisedimeve, krerët e institucioneve u pajtuan mbi nevojën e krijimit të një ekipi të përbashkët teknik për të shqyrtuar dokumentet e nevojshme për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Zyrtarët e lartë e vunë gjithashtu theksin tek nevoja për një konsensus të përgjithshëm në etapa të ndryshme të zbatimit të këtij detyrimi ndërkombëtar të Kosovës”, njofton Presidenca në një komunikatë për shtyp.

Për shkak të vizitës jashtë vendit, Jahjaga po ashtu takoi gjatë ditës edhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, përfundon komunikata.

Krijimi i Gjykatës Speciale është aprovuar tashmë nga Kuvendi i Kosovës, ndërkohë që partitë opozitare kanë paralajmëruar ndërmarrjen e një seri nismash për të penguar ngritjen e saj.

Top Channel