Partitë shqiptare në Maqedoni e lexojnë në mënyra të ndryshme strategjinë e shtetërore për migrimin. Partia Demokratike Shqiptare në opozitë vlerëson se rezoluta e qeverisë maqedonase për migrim i përngjan projekteve të akademisë serbe për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre.

Deputeti i PDSH-së, Gazmend Aliu tha se largimin e shqiptarëve nga Maqedonia e ndihmon edhe partia e Ali Ahmetit, BDI. Sipas tij, në vitet e kaluara rreth 300 mijë shqiptarë janë shpërngulur nga Maqedonia si rezultat i diskriminimit.

“Ky dokument nuk paraqet gjë tjetër përveçse vazhdimësinë dhe modifikimin e dokumenteve dhe strategjive famëkeqe që historikisht janë hartuar për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta etnike, siç janë: projektet e akademisë serbe, Çubrilloviçit, Rankoviçit dhe tani kemi strategjinë e dyshes Gruevski-Ahmeti”, deklaroi Aliu.

Vlerësim krejtësisht të ndryshëm nga ai i opozitës për rezolutën për migrim ka partia shqiptare në pushtet, BDI. Deputetja e këtij subjekti, Ermira Mehmeti tha se strategjia shtetërore për migrim është përpjekje për t’iu përgjigjur në mënyrë institucionale shpërnguljes së popullsisë nga Maqedonia.

“Një aspekt shumë pozitiv, pjesë e kësaj strategjie është qëllimi që të gjithë shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë apo kanë lindur jashtë dhe nuk janë të pajisur me dokumente shtetësie të pajisen me to përmes përfaqësive diplomatiko-konsullore të Maqedonisë”, deklaroi Mehmeti.

Organizatat ndërkombëtare në vitin 2013 evidentuan rreth 200 mijë qytetarë të Maqedonisë në vendet e BE-së dhe rreth 170 mijë në SHBA, Kanada dhe Australi.

Top Channel